Në segmentin rrugor nacional që lidh Shkodrën me Lezhën, mbikalimet dhe nënkalimet në rrugë janë të pakta.

Por edhe aty ku këto hapësira për të ndërprerë rrugën janë të pranishme nuk përdoren nga qytetarët, të cilët zgjedhin të rrezikojnë çdo ditë. I tillë është edhe rasti i mbikalimit të ndërtuar para 11 vitesh në hyrje të qytetit të Shkodrës, fare pranë urës së Bahçallëkut.

Qindra qytetarë të moshave të ndryshme ndërpresin rrugën duke sfiduar fluksin e lartë të automjeteve. Duke qenë se pranë këtij mbikalimi është pozicionuar edhe njëri prej stacioneve urban, lëvizjet e qytetarëve janë të shumta, por asnjë nuk e përdor këtë mbikalim.

Drejtuesit e urbanëve të qytetit që ndodhen aty pranë na tregojnë se gjatë 3 viteve të fundit kanë ndodhur të paktën 10 aksidente me dëmtime të lehta. Sipas tyre, kjo ka ardhur si pasojë e mospërdorimit të mbikalimit. Mospërdorimi i këtij mbikalimi ka ndikuar gjithashtu që e gjithë zona përreth të mbulohet nga shkurret.

Në aksin rrugor Shkodër – Han i Hotit, situata është akoma më keq. Mbikalimet dhe nënkalimet mungojnë totalisht. Ndiçimi gjatë natës po ashtu. Kjo ka ndikuar edhe në bilancin tragjik të aksidenteve të shënuara në këtë aks rrugor gjatë 6 muajve të fundit.

Artikulli paraprakTOKAT NË TRUSH, AVOKATI: JO MË SHUMË SE 10 VITE
Artikulli tjetërMUNDËSITË E PUNËSIMIT NË GJERMANI PËR TË RINJTË