Ky është Ervin Dibra, një prej qindra qytetarëve të Shkodrës që ka mbetur peng nga hipoteka e Shkodrës e cila është totalisht e bllokuar. Prej më shumë se një muaji shtetasi Ervin Dibra ka aplikuar për shitjen e banesës së tij por nuk ka asnjë përgjigje për shkak të mosfunksionit të hipotekës së Shkodrës nga mungesa e një drejtori prej datës 30 qershor.
Shtetasi Ervin Dibra ka bërë edhe ankesat përkatëse por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Qytetari që nuk po arrin të shesë shtëpinë e tij për shkak të kaosit në hipotekën e Shkodrës provoi që të kontaktojë numrin e telefonit dhe emailin në faqen zyrtare të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës por asnjëra nuk funksionon.
Lëvizja e shpeshtë e drejtorëve në hipotekën e Shkodrës në këtë kohë kur numri i emigrantëve që kërkojnë të blejnë dhe shesin prona është i lartë është jashtë çdo norme.
Star Plus trajtoi bllokimin e hipotekës së Shkodrës edhe në emisionin e mëngjesit Info Plus duke marrë disa denoncime për mosfunksionimin e atij institucioni.
Star Plus fton të gjithë qytetarët dhe bizneset që kanë probleme me hipotekën e Shkodrës të denoncojnë pranë televizionit tonë çdo shqetësim të mundshëm deri në emërimin e drejtorit të ri dhe zhbllokimin e kësaj situate.