Festa e Pashkës ka sjellë fluks në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në 24 orët e fundit. Të shumta janë hyrjet në vendin tonë, por një numër i lartë shqiptarësh kanë zgjedhur këtë vit që festën e Pashkës ta kalojnë në shtetin fqinj.

Sipas të dhënave zyrtare nga drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, bëhet me dije se prej së enjtes e deri në mesditën e sotme kanë hyrë në tokën shqiptare 10706 shtetas dhe më shumë se 2900 automjete.

Këtë vit ka pasur fluks të lartë edhe në dalje, ku janë regjistruar më shumë se 3500 shtetas dhe plot 1000 automjete.

Situata në këto ditë është paraqitur e qetë përsa i përket radhëve të krijuara, kjo edhe për shkak të punës me kapacitet të plotë nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës që po punojnë me tetë sportele për automjetet e vogla dhe dy për autobusët.

Nga ana tjetër, edhe pala greke ka rritur gjatë ditës së sotme numrin e sporteleve, duke i çuar në gjashtë të tillë.

Artikulli paraprak“KRESHME ME TË VARFËRIT”
Artikulli tjetërMESI DHE BUSHATI ME SOCIALISTËT E SHKODRËS