Dy ditët e para të muajit korrik kanë shënuar fluksin më të lartë të automjeteve në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit për këtë sezon turistik.
Qindra mjete në pritje krijuan radhë të gjatë deri në 1 km. Shtetas të shumtë kryesisht nga Kosova që shkonin në Mal të Zi për pushime u detyruan të prisnin 30-60 minuta.
Ndërkohë Policia Kufitare thotë se 48 orët e fundit kanë dalë nga Shqipëria mbi 2000 shtetas dhe hyrë në vendin tonë rreth 1300 të tjerë. Policia kufitare ka ngritur traun duke zbatuar procedurën e përshpejtuar me 4 sportele, për të shmangur radhët e gjata. Pala shqiptare dhe ajo malazeze vunë në funksion nga 3 sportele për autoveturat dhe 2 të tjera për autobusët në hyrje-dalje.
Sipas policisë kufitare, fluksi ka nisur që të premten në mbrëmje, ndërsa ka patur rritje graduale deri të dielën në mesditë. Sipas agjencive turistike, shtetasit që dalin nga vendi ynë janë në masë të gjerë turistë nga Kosova që Shqipërinë e përdorin si tranzit, por edhe shqiptarë që zgjedhin bregdetin fqinj për të kaluar disa ditë. Destinacionet kryesore ne Mal të Zi mbeten Budva, Kotorri e Petrovaci dhe Ulqini.