Kryeministri Rama në kuadër të Paktit për Universitetin, ka folur me gjuhën e shifrave në rrjete sociale ku bën të ditur se plotë 20116 studentë janë pajisur me Kartën e Studentit në Universitetin e Tiranës.
Ndër të tjera Rama bën thirrje që të gjithë studentët që duan të aplikojnë pranë fakulteteve të tyre përfshirë edhe rrethet për t’u pajisur me Kartën e Studentit.
Sipas vendimit të miratuar më herët nga Këshilli i Ministrave, të gjitha shërbimet që ofrohen nga entet shtetërore në fushën e artit dhe të kulturës, të shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit dhe ato të mbrojtjes përfitohen nga studentët me çmime të reduktuara, apo edhe tarifa zero, vetëm përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik i çdo studenti.
Përfituesit e kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera private, që kanë objekt të fushës së veprimtarisë së tyre shërbime për studentët, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të lidhura ndërmjet tyre dhe strukturave të qeverisjes vendore.
Në çdo fakultet të çdo universiteti tashmë janë pozicionuar nga dy operatorë, të cilët ndihmojnë në procesin e emetimit të Kartës së Studentit, duke nisur nga informacioni i përgjithshëm, plotësimi i të dhënave, e deri te lëshimi i kartës.
Karta lëshohet pa pagesë, është e rinovueshme, ka një barcode të caktuar dhe ofron akses në të gjitha institucionet apo subjektet, të cilat në ambientet e tyre kanë të afishuara stikerat me logon “Karta e Studentit”.