Kryeministri Edi Rama tha në Kuvend se kryetari i PD, Lulzim Basha e mohoi marrëveshjen e 18 majit sepse u tremb nga Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi.

Edi Rama: Mu si lopa që e mbush kovën me qumësht dhe pastaj i bie me shqelmë gjithë inat a thua se fajin ja ka qumshti, edhe miku im Lulzim Basha këtu pasi bëri më në fund një akt lidershipi me marrëveshjen e 18 majit e mohoi. E mohoi se u tremb, u tremb nga frëngjit e Jozefinës dhe Astrit Patozit, u tremb nga kryengritja në pallat, u tremb nga ofiqarët e SHQUP-it që humbën karriget e tyre dhe natyrisht nuk diti më se çfarë të bëjë përvecse të kthehet aty ku është më rehat, tek çadra e dasmave, tek lufta me krimin, te lufta me drogën, tek lufta me të keqen e madhe.

E mohoi dhe çfarë bëri? Pohoi politikën qorre, politikën shurdhe, memece që për 4 vite ju katandisi juve në gjysmagjel. Nga një gjel i lagur por krenar në 2013, sot jeni një gjysmagjel, edhe i lagur edhe krenar por edhe për të ardhur keq. Shto këtu edhe miqtë e LSI, që qetësinë dhe dashurinë e linjës së vjetër e zëvendësuan me llafazanërinë dhe vajmdedetërinë e linjës së re dhe panorama e opozitës bëhet: “Bir o Lul vëllai kë të qaj më parë, ty a motrën tonë që keni një hall”.

Po kjo natyrisht është një çështje e kotë, retorike sepse ka më shumë emocion se kë të qash më parë, vëllain apo motrën që kanë një hall dhe që halli i ka bërë bashkë si një kazan që ky nga ku dëgjohen thirrjet bombastike si të të luftojmë krimin, drogën se në fakt krimi dhe droga e kanë fajin që ju jeni papërgjegjshmëri.

Artikulli paraprakSUEDI, SULM ME ARMË NË NJË SUPERMARKET
Artikulli tjetërBASHA SULMON MAZHORANCËN: GJYSMA E DEPUTETËVE KËTU I KA SJELLË KRIMI