Kryeministri Edi Rama kërkoi votën e tepelenasve, pasi siç tha ai PS është e vetmja që ka vizionin për të bërë shtet. Gjatë një takimi me fermerë të Luftinjes, Rama u kursye në komentet për kundërshtarin e tij politik në zonën ku ai është dhëndër, por tha se nuk do të ketë më mundësinë të prishë punët e bëra prej tij.
Rama: Jemi të vetmit që dimë se çfarë duhet bërë dhe dimë ta bëjmë.Të tjerët as nuk e dinë se çfarë duhet bërë dhe as nuk dinë ta bëjnë. Nuk dua të flas për Lulin këtu se e keni dhe dhëndër nga Tepelena dhe nuk është djalë i keq, po aq ka dhe aq bën. Nuk mund të presësh nga Luli të rregullojë ndonjë punë. E pati njëherë këtë mundësi të prishë ato që bëra unë, tani nuk do ta ketë më. Rama foli për programin e PS-së për ndërtimin e rrugëve rurale dhe zhvillimin e turizmit.
Kryeministri tha se kanë futur në hartën e turizmin Tepelënën dhe shprehu bindjen se kalaja e Ali Pashës do të sjellë turistët në këtë qytet.
Rama: Kemi një program të veçantë për rrugët e fshatrave për të lidhur prodhimin byjqësor apo blegtoral me tregun. Në katër vjeçarin e ardhshëm jo vetëm rruga e Luftinjes por edhe të tjera rrugë në këtë qark që janë të rëndësishme për të nxitur më shumë prodhimin dhe punësimin do të bëhen sepse janë 100 milion dollarë vetëm nga programi ynë me Bankën Botërore që do fillojnë të financohen për këtë punë. Nga ana tjetër kem 71 milionë dollarë po me BB për turizmin dhe Tepelenën e kemi futur në hartën e turizmit se nuk ishte. Duke pasur gjithë atë histori, gjithë atë pasuri në mes të qytetit, kalanë e Ali Pashait, zihet tërë bota se i kujt është Ali Pashai, ne e kemi tonin këtu dhe ça bëmë ne? Ja morëm kalanë dhe ja zumë me ndërtime pa leje. I bëmë Ali Pashait atë që nuk i kishte bërë as Turqia, as historia që donte ta mbulonte. Projekti është ta zbulojmë deri në fund kalanë. Do zhvillojmë ekonominë. Nuk do vinë turistët të shohin Tërmetin sot, por Ali Pashanë. Pas 100 vjetësh do të vinë të shikojnë ore ku banon dhe Tërmeti, por jo sot.