Kryeministri Edi Rama foli për investimet në ujësjellës, duke thënë se brenda vitit 2021 furnizimi me ujë të pijshëm do të jetë realitet për të gjitha zonat urbane në Shqipëri.

Sipas kryeministrit, po bëhet një reformë tërësore, që synon transformim rrënjësor dhe radikal në të gjithë sistemin e ujit të pijshëm.

“Brenda pranverës së ardhshme do të hapen plot 70 kantiere të tjera për të garantuar 24 orë furnizim me ujë, dhe vitin e ardhshëm 55 zona të mëdha urbane të vendit dhe pastaj më 2022 edhe në mbi 200 zonat më të populluara rurale të vendit.

Rrjetet e trashëguara janë rrjete të ndërtuara në vitet 60-70 dhe që të jemi të qartë as në vitet e komunizmit nuk është garantuar furnizimi me ujë 24 orë për të gjithë popullsinë, as në vitet e komunizmit nuk është ndërtuar një sistem ujësjellësi i rrjetëzuar nga qendra në cdo pikë banimi të Shqipërisë. Ne 25 vjet pas rënies së komunizmit kemi filluar të prekim një sistem furnizimi me ujë, ku kemi pasur dhe akoma sot ka depo dhe tubacione të viteve 60-70.

Është një reformë tërësore, një nga pesë kolonat e përcaktuara në objektivat tonë dhe nuk ka të bëjë thjesht me investimet, por dhe me konsolidimin financiar të ndërmarrjes së ujësjellësit, me një transformim tërësor të qasjes strukturore ndaj ujit të pijshëm, që vazhdon. Kuadri ligjor dhe rregullator është përmirësuar ndjeshëm.

Duhet të shkojmë patjetër drejt një radikalizimi të procesit të reformës, sa i përket strukturimit të të gjithë sistemit të ujit të pijshëm. Investimet që janë kryer për ujin e pijshëm janë 514 milionë euro, prej ku 202 milionë janë nga buxheti dhe pjesa tjetër janë financime të huaja, gjatë qeverisjes sonë. Më 2021 do të alokohen 52 milionë euro dhe gati 46 milionë euro financime të huaja në këtë drejtim.

Kur mbaroi epoka e së keqes, së kaluarës, kishte vetëm një qytet me furnizim me ujë, Korça. Sot që flasim ka 23 zona urbane 24 orë furnizim me ujë, nga Bilishti në Tropojë, nga Pogradeci në Lezhë, nga Vau i Dejës e Kopliku e deri në Polican e Tepelenë. Deri në 2021 furnizimi do të jetë realitet për të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, duke përfshirë që nga Laci në Kavajë, Fushë Kruja në Shijak, Kruja në Berat e Lushnje, Gjirokastër, e me radhë.

Tirana është histori më vete, ku ka një rritje të furnizimit me ujë të pijshëm në tërësi nga 7 orë në ditë furnizim, sot vetëm Bovilla furnizon 16 orë banorët e kryeqytetit. Në nivel kombëtar furnizimi me ujë të pijshëm, mesatari i Shqipërisë, ishte rreth 10 orë në ditë, sot është 15 dhe do të arrijmë në 18 orë.

Është themelore që ne të vazhdojmë punën për të plotësuar të gjitha kornizat e prioritetet e vendosura qysh në krye të herës, por edhe për të garantuar një qëndrueshmëri të atillë që të mos ketë kthim mbrapa.

Dua t’iu garantoj të gjithë qytetarëve në të gjitha zonat, ku ka ende problematikë me ujin e pijshëm, është se jo vetëm nuk janë lënë pas dore, por e përsëris, 128 kantiere janë në punë tani që flasim. Që ekonomia të rritet, duhet të vazhdojmë të investojmë. Çdo shtëpi duhet të vazhdojë të punojë”, tha Rama.

Artikulli paraprakKRYEMADHI: PARTITË E REJA MUND TË PËRÇAJNË VETËM PS-NË
Artikulli tjetërSTAR TREND – 17.11.2020