Teksa ka prezantuar buxhetin e vitit 2018 në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ekonomia shqiptare po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe këtë sipas tij e konfirmojnë të dhënat e institucioneve kombëtare e ndërkombëtare.

“Në tremujorin e dytë prekëm kufirin e 4 përqindëshit dhe siç konfirmojnë të dhënat kemi një gjallërim të kërkesës së brendshme private. Dhe këtu vlen të nënvizohet rritja reale e konsumit në gjysmën e parë të vitit që po mbyllim, që vijoi në trendin pozitiv të rritjes reale mesatare të vitit të shkuar”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, i ndjeshëm është edhe përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare, me eksportet që rezultojnë me një rritje prej 13 për qind, ndërsa importet 6.3 për qind. Sa i takon rritjes së shpenzimeve publike, investimet në gjysmën e parë të vitit u rritën me 13 për qind dhe investimet e huaja direkte shënuan një rritje prej 18 për qind krahasuar me një vit më parë.

Gjithashtu, “ka rritje të punësimit me mbi 13 për qind për 6 mujorin e parë. Niveli aktual i treguesit të ndjesisë ekonomike qëndron 14 pikë mbi mesataren afatgjatë dhe mbi 17 pikë mbi atë të afatshkurtër”, ka vijuar Rama. Kreu i qeverisë ka theksuar se buxheti është ndërtuar i tëri me përgjegjësi dhe realizëm, duke përmendur këtu edhe shifrat e regjistruara. “Mjafton të shohim të ardhurat nga tatimet dhe doganat që janë rritur me 7 për qind, ndërsa ato nga kontributet shoqërore me 10 për qind. Në tërësinë e vetë rritja reale ekonomike pritet të jetë 3.9 deri në 4 për qind”, ka vijuar Rama.

Ai ka shtuar se, referuar institucioneve ndërkombëtare, Shqipëria sot ka rritjen ekonomike më të madhe në rajon. Ndërkohë, “veç investimeve publike buxheti do të financojë edhe uljen e mëtejshme të borxhit publik, trendi në rënie i të cilit do të vazhdojë”, ka shtuar Rama

. Ai ka saktësuar se do të jenë 86 miliardë lekë investime publike, pa përfshirë këtu programin 1 miliard për rindërtim, që ka nisur të zbatohet me projektin për rrugën e Arbrit. Ndërkohë, investimet do të prekin edhe sektorin e arsimit, pa harruar atë të bujqësisë dhe turizmin, me kryeministrin që ka nënvizuar se kjo fushë ka nevojë për promovimin e strukturave të hotelerisë me 5 yje. Buxheti garanton edhe zbatimin e reformës në drejtësi, si dhe më shumë investime për Policinë e Shtetit, e cila do të pajiset me aparatura teknologjike me qëllim zbardhjen e krimeve. Basha: Buxheti 2018, pastrim i parave të krimit Duke reaguar ndaj prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm nga kryeministri, lideri i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar se ai nuk përmban asnjë politikë kundër varfërisë dhe asnjë përfitim për shtresat në nevojë. “

Ky është një buxhet i ngritur për një qëllim, sigurimin e pasurisë së Edi Ramës dhe njerëve të tij, në shërbim të krimit dhe klientëve”, ka deklaruar Basha. Në fjalën e tij, Basha ka kritikuar përfshirjen në TVSH të biznesit të vogël, një masë që sipas tij do të sjellë një plan të vjetër të kryeministrit për të kontrolluar ekonominë. “TVSH-ja për biznesin e vogël nuk do të sjellë asnjë përfitim, vetëm do të rrisë koston dhe do të çojë drejt mbylljes shumë prej tyre. Prandaj ajo është kundërshtuar nga të gjithë”, ka thënë Basha. Por interesat e familjes dhe të klientëve, siç ka thënë ai, për kreun e qeverisë vijnë mbi të gjitha.

“Olsi Rama ka dy vjet që me klientët e tij përpiqet të marrë me koncesion mbledhjen e TVSH-së. Rama për pak e bëri realitet këtë, bëri edhe rrokadën e ministrave, por FMN e pengoi. Ndaj tani ai bëri skemën e duhur dhe do të thotë se shteti nuk ka kapacitet të mbikëqyrë një numër kaq të madh biznesesh, ndaj TVSH-ja do të mbikëqyret nga privati”, ka theksuar Basha. Masa e dytë negative e buxhetit, sipas kreut të PD, është heqja e tatimit mbi fitimin për të gjitha hotelet luksoze. “Edhe kjo politikë nuk sjell asnjë përfitim, por vetëm kosto. E ka kundërshtuar edhe FMN-ja, por Rama po e mbështet për të mbështetur paratë e drogës të Balilajve me shokë. Kjo do t’i hapë rrugë evazionit të oligarkëve dhe pastrimit të parave të drogës, të cilat do të investohen në hotele dhe nuk do të mbikëqyren”, ka nënvizuar Basha.

Ai ka shtuar se, pjesa më shkatërruese e buxhetit është projekti 1 miliard i PPP-ve, “që në thelb është pastrimi i parave të pista”. “Ky program ka qëllim vetëm pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit. Ta ndalojmë buxhetin, ta ndalojmë krimin financiar prej 1 miliardë euro. Ky do të ishte veprimi i parë për t’i prerë rrugën penetrimit të mafias në ekonomi”, ka shtuar Basha.

Artikulli paraprakTRAGJIKE, 15 – VJEÇARI VRET ME ARMË VËLLAIN E VOGËL
Artikulli tjetërMOTI I KEQ GODET ITALINË QENDRORE, SHËNOHEN VIKTIMAT E PARA