Me krijimin e një sistemi online është e pamundur ndërhyrja nga jashtë, përmes parave, miqve, apo partive politike. Këtë theksoi kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të portalit “Mjekë për Shqipërinë”.

Ai tha se sot janë 112 vende pune në spitalet, ndërsa ftoi mjekët e rinj të aplikojnë duke u garantuar se procesi i garës do të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë, ndërsa theksoi mes tjerash se ka përfunduar koha kur mjekët dhe infermierët zgjidheshin nga partitë politike.

“Mësuesit, infermierët kanë hequr shumë keq për shkak të politizimit nga emërime, largime, transferime dhe për shkak të një mungese të plotë garancish për meritat si pasojë e politizimit. Portali e depolitizoi tërësisht sistemin duke e kthyer nga një sistem të mbyllur në një sistem të hapur transparent. Para disa viteve listën për regjistrimin e infermierëve e bënin partitë politike dhe rekrutimin e bënin në bazë të pozicioneve politike. Sot jemi në një situatë katërcipërisht ndryshe, sot përmes portalit infermierët ankohen në bazë të testimit dhe nëse hapet një vend pune, struktura përkatëse u drejtohet portalit dhe shikon klasifikimet.

Këto sisteme e bëjnë të pamundur ndërhyrjen. As leku, as miku, as partia, as cilido autoritet i lartë shtetëror s’mund të fusë pa radhë një student në fakultet. Sepse sistemi funksionin i pavarur nga influenca subjektive. S’mund të hysh në sistemin e mësimdhënies, para dikujt që e meriton më shumë se ti. Këtë e përcakton klasifikimi transparent në bazë të testimit kombëtar. Çdokush që aspiron të hyjë në sistemin e mësimdhënies testohet, merr pikët dhe në bazë të rankimit, çdo drejtori arsimore rekruton

Sot 1400 infermierë janë punësuar me këtë sistem. Pyetini se a janë punësuar pa kapur asnjë për krahu, por thjesht duke aplikuar në bazë të testimit të tyre. Portali ‘Mjekë për Shqipërinë’ do të bëjë të njëjtën gjë. Sot ka 112 vende të lira dhe të gjithë mund të aplikojnë dhe në bazë të ranikimt do të punësohen. Proceduarat janë të shpejta dhe nuk ka shans askush që mund t’i parakalojë në mënyrë të padrejtë. Nga janari i 2018 kemi punësuar 480 mjekë, nga të cilët 235 janë specialistë në spitale. Këto që ju dëgjuat nuk janë thjesht fjalë”, tha Rama.

Artikulli paraprakSHKODËR, MËSOHEN EMRAT E 6 NËNKRYETARËVE TË PD
Artikulli tjetërPASTRIMI I KANALEVE KULLUESE NË LEZHË