Rama: Disa analistë e portale në Shqipëri, si një “parti” e çartur
Përmes një video-mesazhi në rubrikën “Komunikimi i Javës” në rrjetin social Facebook, Rama flet për intervistën e të enjtes te Klan Kosova, ku ishte i ftuar përpara një paneli me 6 gazetarë dhe drejtues të emisionit gazetarin e njohur, Baton Haxhiu. Kreu i qeverisë vlerëson analistët e Kosovës kundrejt atyre të Shqipërisë, të cilët sipas tij, bashkë me politikën i sjellin dëme Kosovës. “Në përgjithësi, rëndom ata që quhen apo vetëquhen analistë, apo opinionistë, flasin si politikanë, si politikanë të dështuar që janë plot mllef dhe hakmerren për dështimin e tyre studio më studio, portal më portal, duke u shfaqur me maskën e analistit, por duke e lënë praktikisht bosh vendin që duhet të mbajnë dhe rolin që kanë detyrë të luajnë. Kështu, populli i opinionit publik, në Shqipëri dhe Kosovë ka mbetur pak nga pak pa shtresën, pa grupin e domosdoshëm të zëdhënësve dhe ndërmjetësuesve të vet në debatin politik, por dhe në tërësi të debatit shoqëror. Pjesa dërrmuese e mediave dhe analistëve, janë kthyer në një parti politike, e cila as votohet, as i jep llogari kujt dhe as duan t’ia dinë se çfarë duan prej saj. Votuesit shqiptarë që lexojnë, ndjekin informacionin, që votojnë, që kërkojnë të mësojnë më shumë, një parti allasoj, ku të gjithë bashkë e kanë braktisur detyrën e informimit të publikut. Janë bërë si një parti e çartur që financohet kryesisht me gjoba të paligjshme, apo shërbime të padeklaruara ndaj të tretëve të interesuar për të nxitur linccimin e kundërshtarëve të tyre në politikë apo dhe biznes. Një rrjet veprimtarësh që prodhon tituj abuzues, editoriale diskreditues, raportime shantazhuese, dokumente false, histori të sajuara, fotomontazh i gjithfarësoj, çfarë të mundet. Në një përpjekje si të tërbuar për të pasur sa më shumë vëmendje, pa asnjë qetësi profesionale në gjykim, pa asnjë arsyetim të thelluar në argumentim dhe pa asnjë ndjeshmëri njerëzore dhe qytetare në qëndrimin e vet”, shprehet Rama. Megjithatë, kreu i qeverisë sqaron se jo të gjitha mediat janë pjesë e kësaj “partie”. “Por do të ishte e pavërtetë që të thuhej se të gjitha mediat, të gjitha analistët, është pjesë e kësaj “partie”. E kësaj partie ku gënjeshtrat dhe e vërteta janë bërë anëtarë me të drejta të barabarta, ku shpifja dhe fakti janë shkrirë në një, të gjithë janë e njëjta gjë, padyshim që jo. Për fat të mirë nuk është kështu”, thekson kreu i qeverisë.