Në mbledhjen mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë, kryeministri Edi Rama ka vënë theksin te bashkëpunimi i mëtejshëm mes dy vendeve, duke deklaruar se do të mundësohet lëvizja e lirë e mallrave. I pari i qeverisë shqiptare theksoi se do të reduktohen masat në pikat doganore me Maqedoninë, ndërsa shtoi se një vëmendje të veçantë do të kenë dhe rrugët që lidhin dy vendeve.
Ndër të tjera, ai tha se dy qeveritë do të bashkëpunojnë për ‘Rrugën e Arbrit’, e cila sipas tij, do të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e dy vendeve. “Do ndërmarrim përsipër harmonizimin me Maqedoninë për Rrugën e Arbrit. Segmenti Bulqizë-Bllatë ka përfunduar. Kjo rrugë do sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e dy vendeve. Do mundësojë eksesin e Maqedonisë në portet tona. Jemi besimplotë se kuptimi i rëndësisë strategjike të këtij aksi është i plotë dhe nga ana juaj dhe në këndvështrimin e mesazhit për forcimin e themeleve të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve është themelor. Por kjo nuk mund të konceptohet pa modernizimin e rrugëve. Do punojmë që së bashku të mundësojmë lëvizjen e lirë të mallrave, duke krijuar mekanizmat e duhur për reduktimin e masave. Synojmë përkrahje për nxitjen e eksportit. Këto masa janë pjesë e qasjes sonë në zhvillimin ekonomik për krijimin e zonës rajonale-ekonomike.
Objekti i kësaj mbledhjeje është forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar. Ne ndajmë pasuri ujore të jashtëzakonshme. Ne kemi privilegjin e madh të gjendemi në brigjet e Prespës e Ohrit ndaj dhe është koha të vlerësojmë qasjen e përbashkët dhe t’i vlerësojmë këto pasuri. Rivlerësimi i kuadrit ligjor është aspekt tjetër. Duhet të nisë një analizë dhe të merren masa për këtë kuadër. Ne nuk lejojmë që marrëdhëniet mes dy vendeve të mbeten ende të pazbatuara. Është koha t’i riaktivizojmë ato. Komiteti Ekonomik do të mblidhet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”, tha Rama.