Konferencën për shtyp, kryeministri Edi Rama e nisi duke i uruar mirëseardhjen Albin Kurtit në Tiranë, në të parën vizitë si kryeministër i Kosovës.
Duke theksuar se pati me të një komunikim të hapur, Rama lajmëroi mbledhjen e radhës së dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër.
Rama: Kemi pasur komunikim ta hapur, intensiv se ku jemi dhe ku duam ti çojmë marrëdhëniet tona duke synuar një shpejtësi të re në të gjitha fushat dhe duke gjetur gatishmëri të plotë reciprokisht. Kemi rënë dakord për përgatitjen e mbledhjeve të dy qeverive që do të mbahet në Shkodër sepse e fundit ishte në Pejë.
Temë e diskutimit mes tyre padyshim ishte edhe minishengeni ballkanik. Rama pa ju referuar me emër konkret, insistoi që ky proces duhet çuar përpara.
Rama: Kemi diskutuar edhe për procesin e Berlinit dhe do vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore në rajonin tonë. Bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve.
Nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të njerëzve dhe më pas dhe të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore të heqim kufirin mes dy shteteve. Jemi 100% në mbështetje të Kosovës në gjithë betejën për të çuar përpara procesin për njohjen e plotë.