Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një intervistë televizive e ka cilësuar Mustafën si politikan tinëzar.
Mustafa, përmes një postimi në Facebook, tha se nuk dëshiron ta cilësojë Ramën ashtu siç e meriton, sepse është Kryeministër i Shqipërisë.
“Kryeministri Rama në T7 më cilësoi si politikan tinëzar. Unë nuk dëshiroj ta cilësoj, ashtu siç e meriton, sepse është Kryeministër i Shqipërisë. Por, në asnjë rast nuk kemi biseduar me të dhe me të tjerët për Minishengenin sa isha Kryeministër.
Kemi biseduar për Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për Tregun e Përbashkët të këtyre vendeve. Në emër të Kosovës i kam kundërshtuar në të gjitha takimet. I ka kundërshtuar edhe Mali i Zi. Jemi pajtuar në Procesin e Berlinit për Hapësirën e Përbashkët Ekonomike të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Mustafa.