Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas buletinit ditor të ministrisë së Shëndetësisë, ku janë konfirmuar 27 raste të reja.
“Sot kemi 27 pozitivë! Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku po synon të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën bluzave të bardha!
Sot ju bëj një thirrje të fortë të motivojmë të gjitha forcat shpirtërore dhe mendore brenda nesh, për të ushqyer rezistencën, duke mos harxhuar energji për asgjë tjetër!
Sot ju lutem me të gjithë forcën ta vendosni si kryefjalë të çdo dite në vijim moton jetike të luftës sonë: ekonomia bie dhe ngrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen më!
Sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta dhe mbrojtja e jetës është qëllimi, ne jemi mjeti për realizimin e këtij qëllimi njerëzor, qytetar, kombëtar!
Sot jam i detyruar t’ju jap këtë video rrëqethëse që ta shikoni si do kishim përfunduar, po të mos ishim futur më shpejt se të tjerët në mbrojtje, por edhe si, mos e dhëntë zoti, mund të përfundojmë nëse për mustaqet e çelos hapim vrima në barrikadat tona”, shkruan Rama.