Edhe në takimin e përjavshëm me qytetarët që kanë shkruar në portalin e bashkëqeverisjes, kryeministri Edi Rama etiketoi mediat si shtypëse të trurit të qytetarëve nëpërmjet ekranit. Për Ramën mediat nuk merren me problemet e qytetarëve, por merren me inçizime.
Rama: Nga shtypi mos prisni shumë shpjegime, se ata merren me filma, me inçizime. Kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë. Kanë thashetheme, kanë shpifje, kanë muhabete. Imagjino, arrijnë deri në pikën që thonë se bixhozi po ndalohet për të tërhequr vëmendjen;
krimi po luftohet për të tërhequr vëmendjen. Për të hequr mendjen nga çfarë?! Nga filmat dhe nga incizimet. Llogarite se ku kemi përfunduar me këtë shtyp. Quhet shtyp i lirë, por në fakt është shtypje e lirë e qytetarëve, d.m.th. masazh brutal në trurin e vogël. Mjerë kush ia lë trurin në dispozicion përpara ekranit këtyre.
Portalit i bashkëqeverisjes nuk funksionon sipas kryeministrit vetëm në disa bashki që drejtohen nga demokratët, që kryesohen nga bashkia e Shkodrës. Kjo sepse këto bashki e konsiderojnë si një mjet politik të kundërshtarëve.
Rama: Kampione është Bashkia e Shkodrës që refuzon çdo lloj bashkëpunimi. Bashkitë e tjera, po ashtu. Megjithatë, ne vazhdojmë përpiqemi edhe me bashkitë.
Pas këtij takimi të kryeministrit, si çdo javë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj lajmëroi se nga denoncimet e qytetarëve në platformë janë shkarkuar 18 punonjës të hipotekës në Durrës dhe janë cuar për ndjekje penale 3 punonjës burgu në Burrel.