Kryeministri Edi Rama flet nga Libani, për nxjerrjen nga kampi “Al Hol” të gruas me 3 fëmijët dhe Endri Dumanit, duke thënë se kjo i hap rrugën fazës tjetër për të shpëtuar edhe të tjerët.
“Po kthejmë katër fëmijë shqiptarë nga kampi i ferrit në Al Hol, nesër në atdhe falë një operacioni të ndërlikuar dhe pas më shumë se një viti përpjekje. Së shpejti edhe fëmijët e tjerë.
Jam i lehtësuar. Nesër do të takojmë gjeneralin që ka qenë një ndihmë shumë e madhe për ne. Dua të veçoj meritën e dy figurave të posaçme, drejtorit të anti-terrorit dhe punonjësit tjetër të policisë që kanë operuar gjatë gjithë kohës në territor dhe konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban. Na ka ndihmuar për të bërë ato lidhjet me faktorët.
Jam shumë i kënaqur, që nesër paradite bashkë me kalamajtë do të kthehemi në Tiranë. E ëma e fëmijëve të vegjël është në një gjendje të vështirë ka një plagë në trup, por edhe ajo do të vijë me ne. Ky operacion i hap rrugën fazës tjetër. Presim sinjalin e fundit për të marrë edhe fëmijët e tjerë. Endri po kthehet, Eva është mirë, por informacionet janë pak të komplikuara”, tha Rama nga Libani.