Në bashkëbisedimin me qytetarë nga Korça, kreu i qeverisë Edi Rama u ndal të komentojë edhe ikjen e të rinjve nga Shqipëria për të cilën tha se është një fenomen që ndodh edhe në vendet e BE.
“Nuk e kam një arsye për të thënë pse nuk duhet ti të largohesh në formën e një predikimi. Mendoj që është e rëndësishme që ta kuptojmë se nuk jemi në bunkerin e shokut Enver, nuk jemi në një fazë të parë apo të re të lëvizjes nga Shqipëria.
Shqiptarët kanë ikur gjithmonë në historinë e tyre, deri në kohën kur pastaj u ndërtua bunkeri dhe u mbyllën me zor brenda, ikin kanë ikur kthehen e do kthehen dhe trendët janë varur gjithmonë nga trendet historike.
A është vetëm Shqipëria? Jo, nëse kthejmë kokën pas e këtu nuk po flas për 7 vite, se do e bëja të vështirë mirëkuptimin në këtë bisedë. Nëse kthehemi 30 vite para, transformimi që i ka ndodhur Shqipërisë në sensin e mundësive për njerëzit është ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në kontinentin tonë.
Por, ne sot jemi njëkohësisht në mes të një kontinenti ku është përqëndruar pasuria më e madhe e botës dhe kjo e bën kontrastin. E kuptoj një të ri nga Pusteci, apo Lekasi që thotë ‘dakord, i kuptoj të gjitha këto po unë jam 20 vjec sa do pres unë dhe kë do pres që të jetoj sic jetojnë bashkëmoshatarët e mi në Gjermani ‘ dhe i kuptoj shumë mirë dhe s’kam përgjigje tjetër vec se për t’i thënë se kjo është ‘zgjedhje jote’.
Dhe është ana komike e kësaj faze dramatike të vendit kur dëgjon disa, që s’po u përmend emrin që mos prishim atmosferën që thonë se do ta zgjidhin ata këtë punë.
Kjo është diçka që është me kohën që jetojmë, e kanë vuajtur e vuajnë sot edhe vende të BE, është një dhimbje e kësaj kohë. Është fjala për ta parë realitetin në sy dhe nëse duam që ata që janë sot më të vegjël të mos kenë pyetjen, sot të bëjmë gjrëat e duhura e të jemi të vetëdijshëm se nuk ka shkop magjik.
Nuk mundet Shqipëria të ofrojë atë që ofron Gjermania. Ka limite. Ama duhet të bëjmë akoma më shumë, po cfarë, marrim Korcën. Kur ishim në opozitë, në qytetet tona nuk bëje dot një fotografi pa Rilindjen Urbane.” tha Rama ndërsa i komentoi edhe deklaratat e kundërshtarëve politikë, pa dashur të përmend emra, të cilat i konsideroi si përralla elektorale, që mbarojnë sapo përfundojnë zgjedhjet.