Rama: Himara, debat i shterpë. Greqia të mos i trembet historisë

 

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke komentuar ngjarjet e fundit në Himarë ka deklaruar se, “plani urbanisitik i qeverisë atje është në shërbim të interesave të mbrapshta”. “Kemi prishje selektive dhe klienteliste biznesesh dhe banesash me një sens të theksuar hakmarrjeje, në një kohë që vazhdojnë ende, në shkelje flagrante të ligjeve, ndërtimet e sarajeve në Qeparo”, ka thënë Dule, i cili ka ironizuar të ashtuquajturën “Rilindje Urbane”. “Të gjitha këto, në emër të Rilindjes Urbane. Nuk ka rilindje që të mbulojë të vërtetën, që është grabitja e pronave të komunitetit. Referojuni shkrimit investigativ të agjencisë BIRN, sarajet janë ndërtuar në prona të grabitura”, ka vijuar Dule. Ai ka akuzuar për këtë problem kryeministrin Rama dhe njerëzit e afërt të tij. “Nuk mund të ketë akte grabitëse të Edi Ramës dhe klikës së tij”, ka pohuar Dule. Ai ka kujtuar se, Shqipëria e ka detyrim kushtetues të mbrojë bashkëkombasit kudo që ndodhen në botë. “Po të tjerët nuk e kanë këtë të drejtë e detyrim?”, eshte shprehur kryetari i PBDNJ-se. “Ne kemi një aventurier në krye të qeverisë. Ky kryeministër ka kthyer mbrapshtë politikën dhe vlerat europiane. Ky kryeministër do të na zbulojë se armiku ynë është Greqia, vendi mikpritës i 750 mijë emigrantëve shqiptarë”, ka shtuar Dule. Ai ka vijuar akuzat ndaj Ramës duke i thënë se, “civilizimi yt është shumë larg nga civilizimi europian, të cilin ti e sheh me callmë në kokë”. Rama: Himara, debat i shterpë. Greqia të mos i trembet historisë Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur deklaratës së kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule për Himarën, e ka cilësuar si të shterpë debatin për planin urbanistik në qytetin jugor. “Projekti ynë në Himarë detyron prishjen e vetëm 18 objekteve, që kryesisht janë lavazhe, kioska, magazina të vjetra apo rrënoja shtëpish të dikurshme. Nga këto, vetëm për 6 objekte duhet iniciuar procedura ligjore e shpronësimit, një shifër mikroskopike me shpronësimet që janë bërë në mbarë vendin”, ka thënë Rama. Sipas tij, ky është një plan që mbështetet nga komuniteti himariot dhe rrjedhimisht nuk ka vend për problem. “Ai që na shfaqet nëpër këmbë si ëndërr e keqe nuk e kupton se si për kaq godina mund të angazhojë një shtet fqinj, që angazhon politikanët e tij, gazetat dhe portalet që nxjerrin tym fabrikash të antikitetit nacional-populist, për të nxirë Shqipërinë. Por, pa e nxjerrë faktin se shumë ka dhënë e ka marrë Shqipëria në historinë e vetë në atë vend mahnitës që quhet Greqi”, ka thënë Rama. Kryeministri i ka cilësuar të pakuptimtë reagimin e politikanëve grekë ndaj deklaratës së tij për Akropolin. “Çfarë thash unë që u bë aq e madhe në Greqi? Pse fqinjëve tanë të dashur nuk u erdhi mirë nga citimi i Gjergj Dushanit? Momentet fatlume të historisë bënë që ai të gjendej në kohën dhe në vendin e duhur për të shpëtuar Akropolin nga bombardimi i flotës veneciane. Këtë nuk e them unë, nuk ka historian serioz që nuk e shkruan”, ka thënë Rama. Sipas tij, kjo duhet t’i shërbejë fqinjësisë së mirë dhe jo polemikave. “Pse duhet të mërizten fqinjët tanë kur unë them se në një periudhë të caktuar në Athinë flitej shqip? Kur mua nuk më vjen keq fare kur thuhet se në Himarë flitet greqisht. Këto nuk do ta bëjnë kurrë Athinën një qytet shqiptar dhe as Himarën kurrë një qytet grek. Iku koha kur na ndërronin emrin. Në Himarë do këndohet shqip”, ka vijuar Rama. Kryeministri i ka dhënë përgjigje edhe argumentit të pritjes së emigrantëve shqiptarë në shtetin helen. “Grekët pritën qindra mijëra shqiptarë, pavarësisht politikës ndaj shqiptarëve në vitet ‘90, por edhe shqiptarët mbajtën me bukë grekët gjatë luftës italo-greke”, ka thënë Rama. Ai i ka quajtur të pavërteta deklaratat se, në Himarë po u preken pronat qytetarëve që janë deklaruar grekë. “Këtu bëhet fjalë për shtetas shqiptarë që jetojnë në truallin e tyre prej brezash, që janë detyruar të emigrojnë në vendin fqinj”, ka shtuar Rama. “Unë jam gati t’i përgjigjem cdo ftese të fqinjëve tanë për t’i lënë pas sherrnajat historike dhe ta kthejmë mbrojtjen e komuniteteve një përparësi, si reforma në drejtësi”, ka thënë më tej Rama.

Artikulli paraprakRRËFIM – MEHILL KOLE SHKEMBI
Artikulli tjetërKUVEND:NACIONALIST APO PATRIOT? BLUSHI:RAMA NA FTOI NE NJE GARE TE RE