Për të parë respektimin që po bëhet nga marketet lidhur me vendimet e marra nga Bordi i Transparencës për produktet e shportës, kryeministri Edi Rama ka preferuar të dalë vetë në terren për të bërë inspektime. Teksa u shfaq i shoqëruar nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, në një market lagjeje Rama tha se pas mbledhjes së Bordit produktet e shportës kanë pësuar ulje.

Kreu i qeverisë theksoi se kjo është një situatë e vështirë, ndërsa theksoi se nuk duhet të ketë abuzime me çmimet e produkteve në mënyrë të mos rëndohet xhepi i qytetarëve. Shitësi i marketit tha se ka pasur rritje të çmimeve tek të gjithë produktet e importit, por ata kanë aplikuar ulje tek produktet dhe se do përpiqen të mbajnë një çmim që të përshtatet me krizën aktuale.

Rama vuri në dukje se çmimi i vajit mbetet problematik, pasi ka pësuar një rritje të ndjeshme.

“Vaji është problem. Prapë edhe kjo ulja që është bërë është me rëndësi. Nga këto që janë gjërat që kemi kërkuar ne, se ne nuk mund të kërkojmë që të shkojnë çmimet në pikën ku të fillojnë humbjet e furnizuesve e të mos ketë më pastaj se aty shkon në kolaps. Ulja nga 330 në 305 është brenda atyre kushteve, ajo që ne duam”, tha Rama.

Pjesë nga biseda:

Edi Rama: Është situatë e vështirë shumë, edhe ne duam që të ketë një lloj solidariteti dhe një lloj dakordësie.

Shitësi: Ne do përpiqemi tek artikujt bazë që janë edhe më të ndjeshëm në lidhje me situatën.

Delina Ibrahimaj: Ne kemi bërë takimet e bordit, shqetësimin kryesor e kemi tek artikujt që blihen më shumë nga njerëzit që nuk kanë mundësi të blejnë produkte të markave të shtrenjta por sigurisht blejnë, miell, oriz, vaj, produkte bazë. Kemi rënë dakord që për këto produkte dhe pikat e shumicës dhe ato të pakicës të kemi disa çmime me marzhe fitimi standarde.

Shitësi: Këtu kemi raftin e makaronave.

Delina Ibrahimaj: Si ka ndryshuar çmimi. Ka pasur luhatje?

Shitësi: Ka pasur, janë rritur 20-30% luhatje. Edhe orizi, të gjithë artikujt që janë import kanë pasur rritje.

Delina Ibrahimaj: Sa e shisje këtë orizin para tre javësh?

Shitësi: 139 lekë.

Edi Rama: Tani ka ulje sidoqoftë.

Edi Rama: Vaji është problem. Prapë edhe kjo ulja që është bërë është me rëndësi. Nga këto që janë gjërat që kemi kërkuar ne, se ne nuk mund të kërkojmë që të shkojnë çmimet në pikën ku të fillojnë humbjet e furnizuesve e të mos ketë më pastaj se aty shkon në kolaps. Ulja nga 330 në 305 është brenda atyre kushteve, ajo që ne duam. Po mielli?

Shitësi: Edhe mielli ka qenë 70 lekë u rrit, tani e ulëm prapë.

Edi Rama: Këto janë produktet që kanë rëndësi. Edhe sheqeri është ulur?

Shitësi: Po edhe sheqeri.

Edi Rama: E rëndësishme është që ushqimet bazë të ulen dhe marzhi i fitimit të jetë minimal dhe mos të ketë abuzime në kurriz të njerëzve.

Artikulli paraprakMINISTRIA RUSE E MBROJTJES: KEMI VRARË DHJETËRA ‘MERCENARË’ NGA RADHËT E USHTRISË UKRAINASE NË NJË SULM ME RAKETA
Artikulli tjetërRAMA INSPEKTOI SOT ÇMIMET NË NJË MARKET, I PËRGJIGJET TABAKU: BORDET ALLA KOMUNIZËM NUK JANË ZGJIDHJE E KRIZËS!