Kryeministri Edi Rama ka folur për Zërin e Amerikës pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken. Rama ka zbardhur disa nga çështjet e diskutuara me Blinken si dhe rolin si bashkëpenmbajtës me SHBA-të.
“Diskutuam lidhur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, lidhur me marrëdhëniet bilaterale, pa diskutim lidhur me rajonin, me ecurinë e reformave në Shqipëri dhe në tërësi besoj që prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie, përfshirë dhe temën e të qenit bashkë në aleancën e NATO-s”, tha Rama.
Lidhur me rolin e Shqipërisë në KS të OKB si bashkëpenmbajtës me SHBA-të, Rama shpjegoi çfarë do të thotë.
“Ky është një proces i njohur në traditën e Këshillin e Sigurimit, ku dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo disa dosje të caktuara dhe SHBA-të na e propozuan ne këtë bashkim, ne e pranuam me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi. Kjo na jep mundësi që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë”, deklaroi Rama.
Sa i përket Ukrainës dhe një rezolute të mundshme, Rama tha se “kjo nuk është një çështje e Shqipërisë, është një çështje e gjithë botës, e OKB dhe KS dhe patjetër në këtë proces do të jemi krahë për krahë me SHBA-të dhe sigurisht të jemi krejt realistë, vendimmarrja i takon SHBA-ve”.