Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur ditën e sotme para mbështetësve të tij nga qyteti i Matit teksa ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit, Skënder Gjucin. Berisha deklaroi se kryeministri Rama sot ka 10% më shumë pushtet se diktatori i fundit komunist në vend, Ramiz Alia, ndërsa shtoi se ai ka në dorë çdo pushtet në vend dhe qeveris duke mos respektuar asnjë ligj e asnjë standard. Ai vijoi duke thënë se Rama ka shndërruar qeverinë e tij në një organizatë të mirëfillte kriminale, e cila vjedh çdo orë e çdo ditë fondet publike dhe pasuritë e shqiptarëve dhe nga ana tjetër forcon lidhjet me krimin çdo ditë.
“Ne jemi mbledhur për të shprehur mbështetjen tonë për kryetarin tonë të ardhshëm të bashkisë së Matit, zotit Skënder Gjuci. Më 14 maj qytetarët janë të ftuar të votojnë dhe të shprehin besimin e tyre për kandidatët që vlerësojnë më shumë.
Kandidatët që paraqesim këtë herë si aleanca Bashkë Fitojmë janë të parët në histori që nuk emërohen nga kryetari i partisë, por janë përzgjedhur e votuar nga ju. Ky është standardi më i avancuar i një force politike, është mënyra më e përgjegjshme e më transparente për të vendosur në drejtim njerëzit që vlerësoni më shumë. Një vit e gjysmë më parë, demokratët kishin një kërkesë, t’i emërojmë ne kandidatët. Tek po vija lexova mesazhin e një demokrati që më falënderonte, tha që u tregova stoik për Primaret dhe nderova demokratët, kjo është e vërteta dhe ishte një praktikë e shkëlqyer. Ne shkojmë ballëhapur para votuesve me kandidatët tanë, ndaj dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka, të bëjmë natën ditë e të sakrifikojmë për të mbrojtur vlerat e kandidatëve tanë. Fitorja e tyre është fitorja e të gjithëve. Këto zgjedhje janë vendore, por kanë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe kanë atë rëndësi që kanë pasur zgjedhjet e viteve ’90 sepse sot njëlloj si atëherë përballemi me një monizëm të dytë pa mëshirë. Një monizëm i cili po rrënon këtë vend e po shkreton këtë komb. Dramat më të mëdha të kombeve, pushtimet më të egra kanë qenë monizmat, ai i diktaturës ishte më i pamëshirshmi i Evropës, por sot Edi Rama ka 10% më shumë pushtet se diktatori i fundit komunist në vitin ’91. Sot ai kontrollon çdo pushtet në vend dhe qeveris duke mos respektuar asnjë ligj e asnjë standard. Sot Edi Rama ka shndërruar qeverinë e tij në një organizatë të mirëfillte kriminale, e cila vjedh çdo orë e çdo ditë fondet publike dhe pasuritë e shqiptarëve. Nga ana tjetër forcon lidhjet me krimin çdo ditë. Të gjitha këto së bashku kanë shndërruar vendin, kanë bërë që shqiptarët të mos ndihen si në vendin e tyre dhe të largohen. Në 8 vite si në asnjë vend tjetër me luftë, janë larguar 33% e popullatës vetëm drejt BE-së. Sot jemi katandisur me rrogat më të ulëta në rajon. Sot çdo pensionist ka fuqi blerëse më të ulët se para 10 viteve”, tha Berisha.