Kryeministri Edi Rama, me anë të një statusi në Facebook, i ka kujtuar kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se ka 3 ditë që pret “vendin/orën për të nisur dialogun pa kushte”.

“Lulëzim, sot 3 ditë që pres vendin/orën për të nisur dialogun pa kushte! Gjejmë zgjidhje, votojmë Vetingun, shkojmë në zgjedhje. Mos ki frikë!”, shkroi Rama.

Edi Rama dhe Lulzim Basha kishin rënë dakord në parim të takoheshin me njëri-tjetrin në një tryezë dialogu, për të cilën po punonte prej disa ditësh ambasadori amerikan. Por zhvillimet e së enjtes treguan se takimi mbetet vetëm teorik. Megjithëse, sipas një burimi pranë tij, Kushtetuta për qeverinë dhe datën e zgjedhjeve mbetej e paprekshme, kryeministri në publik reagoi kështu: “Nuk flas sot dhe dua mirëkuptimin tuaj që të mos flas as për qeverinë teknike, as për datën e zgjedhjeve, për një arsye shumë të thjeshtë: kam dy ditë që pres vendin dhe orën për të folur. Nuk kam as orë dhe as vend. Shpresoj që t’i kem orën dhe vendin, kudoqoftë. Unë preferoj në çadër, por s’ka asnjë problem po të jemi diku tjetër, dhe në çfarëdo lloj formati që të jetë. Vetëm për vetëm, me shokë bashkë, me apo pa aleatë, me të gjithë aleatët”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama nuk ndryshoi pozicionin e tij kushtetues kundër qeverisë teknike dhe shtyrjes së zgjedhjeve, por u shpreh i gatshëm t’i japë opozitës gjithçka për një reformë të thellë zgjedhore. “Është e mundur gjithçka që ka të bëjë me legjislacionin, gjithçka që ka të bëjë me mekanizmat që lidhen me procesin zgjedhor. Është e mundur”, tha Rama.

Por opozita, e cila paradite foli për një kërkesë për takimin e stafeve, duket se e lexoi ndryshe situatën pasditen e së enjtes. Paradite, Berisha u duk se ofroi një pikë ku mund të diskutohej kompromisi: “Le të firmosë, të ikë në datën 18, të krijojmë qeveri teknike”, ishte shprehur Berisha. “Ky nuk është dialog. Këto janë monologje. Ky është vendi dhe tani është momenti t’iu them juve miqtë e mi dhe gjithë shqiptarëve që na ndjekin, se monologje shterpë nuk pranoj dhe nuk do të pranoj”, tha Basha.

Artikulli paraprakSHERRI MES TIFOZËVE , LOJTARËT AMERIKANË : JEMI TE SHOKUAR
Artikulli tjetërMINISTRI BUSHATI NË SHKODËR PËR PROJEKTIN “WIKIACADEMY”