Rama: Kanë mbetur 48 orë nëse PD do tretet në humnerën e vetëshkatërrimit

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të publikojë një status në vend të komunikimit të javës në Facebook, duke theksuar se pas 4 vitesh, Shqipëria nuk ka një qeveri të konsumuar, por një opozitë konsumuar. Rama shkruan se vazhdon të ketë bindje që Partia Demokratike do të ndalet mu në buzë të humnerës dhe të kthehet në për të hyrë në zgjedhje. Rama sqaron gjithashtu se pse nuk doli në komunikim javor me video, ndërsa shton se kanë mbetur 48 orët e fundit të cilat vendosin nëse Partia Demokratike do të marrë kthesën e shpëtimit apo do të tretet në humnerën e vetëshkatërrimit. Shënimi i plotë i kryeministrit Rama: Mbrëmë kemi regjistruar skuadrën e re përfaqësuese të Partisë Socialiste. Jemi plotësisht gati të nisim finalen e madhe të këtij mandati dhe hapim një kapitull të ri për Shqipërinë që duam. Me forca të ripërtërira. Me më shumë eksperiencë. Më shumë gjak të ri. Me vendosmëri ende më të madhe se katër vjet më parë. Por ndryshe nga katër vjet më parë, kemi përballë jo një qeveri të diskredituar, po një opozitë të konsumuar. Të njëjtët njerëz që e çuan Shqipërinë në rrugën e rrënimit, po e çojnë Partinë Demokratike në rrugën e asgjësimit. Unë vazhdoj ta kem thuajse bindje se Partia Demokratike do të ndalet mu në buzë të humnerës dhe do të kthehet për të hyrë në zgjedhje. Kudo ku ka marrë një gjë në dorë, Lulëzim Basha ka bërë një dëm të madh dhe kjo është e vetmja arsye që ma bën bindjen të paplotë. Sot do të doja ta shpjegoja këtë gjatë Komunikimit Javor, por vendosa të mos e bëj. Dua ta lë Lulëzim Bashën të qetë në këto 48 orë të fundit, të cilat vendosin nëse Partia Demokratike do të marrë kthesën e shpëtimit apo do të tretet në humnerën e vetëshkatërrimit. Mbetem natyrisht i gatshëm ta pres kryetarin e PD-së në çdo moment, për të negociuar rikthimin e partisë së tij në fushën e betejës demokratike të 18 qershorit. Përndryshe Partia Demokratike kështu siç e njohim, do të jetë më shpejt se vonë një kujtim i së kaluarës.

Artikulli paraprakF1, FITON NË RUSI BOTTAS
Artikulli tjetërI SËMURI MENDOR QËLLON ME THIKË NJË PERSON, MBYLLET BRENDA BANESËS