Sandër Lleshi është zyrtarisht ministër i komanduar i Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme fillimisht ka emëruar Sandër Lleshin në postin e zv/ ministrit të Brendshëm, ndërsa më pas Rama e ka komanduar në drejtimin e këtij dikasteri në vendin e Fatmir Xhafajt.

Pas vendimit në mbledhjen e qeverisë, Rama ka publikuar një foto me ministrin e ri të komanduar, ndërsa shkruan ‘Me drejtuesin e ri të Punëve të Brendshme, gjeneral Sandër Lleshin, pas mbledhjes së qeverisë që vendosi emërimin e tij zv.Ministër i Brendshëm’.

Aktualisht, zyrtarisht janë pesë zv/ ministra të Brendshëm; Romina Kuko, Rovena Voda, Besfort Lamallari, Julian Hodaj dhe Sandër Lleshi, që do të jetë i parë dhe i komanduar ministër.

Lëvizja e kryeministrit erdhi pas vendimit të Presidentit për të refuzuar dekretin për gjeneralin. Nisur nga situata e krijuar, Rama e emëroi zv/ ministër dhe e komandoi duke nxjerrë jashtë loje kreun e shtetit.

Presidenti u shpreh dje se nuk do të lejonte përpjekje sfiduese, ndërsa tashmë pritet që kush do të jetë reagimi i Ilir Metës, që aktualisht ndodhet në një vizitë zyrtare në Itali.

Artikulli paraprakBASHA NË MALIQ: OLIGARKËT E KONSIDEROJNË SHQIPËRINË ÇIFLIG TË TYRE
Artikulli tjetërMURIQAN, NDALOHET NJË SHTETASE E SHPALLUR NË KËRKIM PËR TRAFIK TË QËNIEVE NJERËZORE