Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar shkarkimin e disa ministrave nga qeveria e tij.
Në një prononcim të shkurtër për gazetarët në dalje nga selia e Partisë Socialiste, Rama tha se arsyet do t’i ndajë me publikun në orën 17:00, në komunikimin javor.
Kryeministri refuzoi të jepte detaje të mëtejshme dhe as emrat e ministrave të shkarkuar. Më herët, Rama përfundoi takimin me koordinatorët e Partisë Socialiste në qarqe, ku raportohet se është folur për ndryshimin e katër ministrave.
Burime Brenda PS-së thanë se katër ministrat që do të zëvendësohen janë Ministrat Ilir Beqaj, Blendi Klosi, Bledi Çuçi dhe Saimir Tahiri, por gjithçka mbetet të konfirmohet pasditen e sotme.