Kryeministri Edi Rama ka reaguar për akuzat se qeveria po ndërhyn në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.
“Jam plotësisht dakord me @USAmbAlbania dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet!
Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkruan Rama.
Kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zgjidhet më 16 dhjetor dhe tre prokurorët që kandidojnë janë Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Kreu i ri i SPAK zgjidhet në një moment kur jo vetëm ndërkombëtarët por edhe publiku kërkon rezultate, arrestime të zyrtarëve të lartë të implikuar në korrupsion dhe anëtarë të bandave të krimit të organizuar.