Kryeministri Edi Rama ka hedhur sërish kritika ndaj Bashkimit Evropian gjatë fjalës së tij në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit. Rama tha se Shqipëria i plotësoi kërkesat, e operoi dhe shëroi pacientin, por BE kërkoi që ai të vraponte. Ai deklaroi se procesi i integrimit është bërë neurotik dhe i padrejtë, ndërsa pretendon se nëse e njejta gjë do t’i bëhej vendeve të tjera, shumë vende të BE nuk do të ishin të afta të anëtarësoheshin.

“Nga Shqipëria dhe rajoni ka pasur shumë lajme të mira, por nuk kanë qenë të dukshme për Parlamentin Europian. Ne na u kërkua dhe morëm mbështetje për të bërë këtë pastrim të gjykatësve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë. Ne i hymë kësaj me besim të plotë dhe krenari se po bënim diçka që “Zotat” tanë europianë na e kërkonin dhe dëshironin. Dhe mendoje, pastrimi ishte aq radikal sa mbetëm pa Gjykatë Kushtetuese. 9 nga 11 gjykatës u larguan se nuk justifikuan dot pasurinë. Dhe ne menduam se Bashkimit Europian do t’i pëlqente kjo gjë, por ata thanë ‘mirë, por nuk keni Gjykatë Kushtetuese”.

Ne operuam pacientin me sukses, e kuruam, por BE e kërkonte që të vraponte sepse kishte zgjedhje. Dhe përpara se të bënin këto zgjedhje nuk mund të na jepnin dritën jeshile. Procesi i integrimit ka ndryshuar plotësisht është bërë neurotik dhe i padrejtë çka është e mirë për ne pasi stërvitim nervat. Por nëse do të bënin të njëjtën gjë si po na e bëjnë ne, shumë vende të BE nuk do të ishin të afta të hynin vetë. Dhe nuk po flas për vende komuniste, por dhe nga themeluesit. Më besoni. Ky është realiteti”, theksoi kreu i qeverisë.

Artikulli paraprakCOVID-19, KONFIRMOHET RASTI I PARË I NËNVARIANTIT XBB.1.5 TË KORONAVIRUSIT NË MAL TË ZI
Artikulli tjetërLUFTA NË UKRAINË, SHBA PARALAJMËRON KINËN: NËSE SHOHIM QË PEKINI MERR MASA PËR TË NDIHMUAR…