Kryeministri Edi Rama e ka nisur me batuta fjalimin përpara simpatizantëve të partisë së tij në Shkodër.
Në kuadër të fushatës së anëtarësimeve të reja, kryeministri tha se shumë të rinj po i bashkohen si asnjëherë tjetër Partisë Socialiste pavarësisht se janë të papunë.
Rama: Unë e di shumë mirë që nuk na duan, por se s’na duan na e marrin edhe të keqen, do thonë se e kemi mbushur Pallatin e Sportin me administratë, ndërkohë që e gjithë administrata e Shkodrës, aq sa ka nuk mbush dot as gjysmën, pavarësisht se një pjesë e administratës e ka opozita. Fakti që ata vijnë në këtë takim dhe disa vijnë përherë të parë në Partinë Socialiste është komplimenti më i shkëlqyer që i bëhet qeverisjes sonë. Pavarësisht se na duhet të bëjmë reforma që nuk u bënë në 20 e kusur vitesh. Prurjet në Partinë Socialiste janë më të mëdha se asnjëherë më parë. Kjo tregon se besimi tek Partia Socialiste nuk është lënduar, jo vetëm shpresa nuk është dobësuar. Kreu i qeverisë risolli në vëmendje reformat e ndërmarra veçanërisht në fushën e energjisë, që sipas tij, nëse do të ishte kryer në kohën e duhur do të kishin investuar për dekadat të tëra me arsim, shëndetësi dhe në bujqësi.
Rama foli edhe për arsimin. Rama: Sikur 20 vite më parë qeveritë të thonë se nuk prodhojmë më libra që nuk i merr vesh dreqi, jo më mësuesit dhe nxënësit. Ne kemi futur në arsimit parauniversitar libra të Oksfordit, të Kembrixhit. Sikur t’i kishim futur, sot do të kishim 1 milionë njerëz më të shkolluar. E njëjta gjë me universitetet. Sikur të mos ishim bërë vendi më qesharak në Evropë me 7 herë më shumë universitete se Britania e Madhe, por të kishim hapur rrugën për arsimin profesional, ne sot nuk do ishim një vend qesharak me numrin më të madh të juristëve për kilometër katror. Nuk hipën dot në taksi se shoferi është jurist, nuk shkon dot në kafe se kamerieri është jurist. Para ca kohësh takova një kamerier dhe më tha na gjej një punë. Çfarë ke studiuar?-i thashë, “Jurist, si të gjithë shqiptarët”-më tha. Për sa i përket investimeve në zonë, Rama përmendi një projekt për Koplikun.
Rama: Ky kryetar bashkie (ai i Koplikut) ka sjellë një projekt mbresëlënës, Kopliku pas një viti do të jetë një realitet plotësisht i rregulluar. Nga një qytet që u katandis në një katund pa lidhje, do të bëhet një qytet që do të jetë zemra krenare e Malësisë së Madhe. Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave të kryebashkiakes së Shkodrës, duke theksuar se nëse quhet diskriminim që investohen 15 milionë euro, “do të vazhdojmë ta diskriminojnë”. Rama: Ata që thonë se jemi me Vllazninë, e lanë atë të luante në një fushë si fushe stalle. Ne nuk e duam Vllazninë ashtu, por si skuadrës të krenarisë sonë. Unë kam pas fatin të luaj këtu basketboll dhe të rrihem disa herë. Pallatin e Sportit do t’ia bëjmë Shkodrës siç e meriton. Ky apo një tjetër ne do ta bëjmë. Rama u ndal edhe tek Fototeka Marubi, duke theksuar se atë e nxori nga një bodrum. “Po të ishin për ata, atë e kishte marrë Buna”. Rama: Me rastin e Ditës së Evropës unë do të vij këtu dhe do ta marr për krahu Voltanën (kryebashkiaken) dhe të inaugurojmë muzeun e ri. Edhe gjatë këtij takimi, kryeministri foli shkurtimisht për akuzat e deputeti Ben Blushi, duke mos e përmendur konkretisht. Rama: Na duhet një Parti Socialiste më e fortë sepse duhet t’i çojmë reformat përpara dhe të mos dëgjojmë as majtas dhe as djathtas. Nuk duhet të dëgjojmë asnjë zë që rri duke u ankuar, duke na sharë, duke na u kundërvënë. Këto reforma nuk përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të ardhshme.