Në një intervistë të dhënë për gazetën amerikane Financial Times, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka shpjeguar një nismë të rëndësishme që ka ndërmarrë të premten, duke u dërguar një letër informuese udhëheqësve të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për përpjekjet e Shqipërisë në luftën me trafikun e drogës dhe ndëshkimin e personave të përfshirë në trafik.

“Të premten unë u dërgova një letër liderëve të 28 shteteve anëtare të Bashkimit Europian duke kërkuar mbështetjen e tyre në betejën tonë me baronët e drogës. ‘Ne e dimë se disa banojnë dhe lulëzojnë në vendin tuaj gjithashtu, duke përfituar nga droga e paligjshme, trafikimi i njerëzve dhe aktivitete të tjera të paligjshme’, thuhet në letrën time. ‘Ne duam ndihmën tuaj dhe ju ofrojmë tonën në këmbim, për t’i kapur këta njerëz dhe për t’i vënë para drejtësisë.’ “Unë shpresoj që qytetarët e të gjithë kombeve të BE-së do të nxisin qeveritë e tyre të veprojnë dhe qëndrojnë krah nesh. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe një betejë që duhet të fitohet”, shkruan Rama.

Në intervistën dhënë Financial Times, Rama ndër të tjera shprehet: “Unë jam mëse i ndërgjegjshëm se disa njerëz, nëse përmend Shqipërinë, ju shkon në mendje krimi dhe droga. Jam gjithashtu i ndërgjegjshëm se për ta ndryshuar këtë imazh – thellësisht i pandershëm për një vend me një shumicë njerëzish paqësorë dhe që zbatojnë ligjin – do të duhet kohë dhe mbitëgjitha veprim. Javën e kaluar ne mësuam se veprimi ynë po sjell fryte. I jemi në borxh policisë financiare italiane, Guardia di Finanza, dhe mbikëqyrjes së sofistikuar ajrore që bënë ata për të pikasur plantacionet e kanabisit për forcat policore shqiptare. Statistikat janë të pangatërrueshme. Një vit më parë, fluturimet e tyre identifikuan 2,086 plantacione përgjatë dhe brenda Shqipërisë. Sivjet, edhe me fluturime më të shpeshta dhe mbikëqyrjes së shtuar, kishte vetëm 88. Të gjitha janë shkatërruar tashmë nga policia jonë. Ky është progres real. E etiketuar për vite me radhë si kryeqyteti i kanabisit të Evropës, Shqipëria ka duruar boll dhe ne po luftojmë”.

Artikulli paraprakVIDHET KASAFORTA E MINIMARKETIT
Artikulli tjetërDEZERTUAN NGA USHTRIA, 4 KOMANDOT SHQIPTARE RREZIKOJNË SHUMË NË BRITANI