KRYEMINISTRI: BINDNI FËMIJËT TUAJ QË TË PAGUAJNË SIGURIMET SHOQËRORE.Kryeministri Edi Rama i ka nisur sot një letër të hapur gjithë pensionistëve. Me anë të kësaj letre ai i premton pensionistëve që duke nisur nga 1 janari i këtij viti e në vazhdim për ta nis një etapë e re.
Sipas Ramës skema e re e pensioneve do të ndryshojë dhe përmirësojë të ardhmen e çdokujt. Në letrën e tij kryeministri ka siguruar pensionistët se kjo reformë është bërë për të mbrojtur të drejtat e pensionistëve dhe se kjo qeveri po punon që të rrisë pensionet.“Unë dua që ju të dini se kjo reformë themelore për një shoqëri me të drejtë dhe me të mbrojtur nuk prek asnjë nga të drejtat tuaja të fituara. Ju do të vazhdoni të merrni të paprekur pensionin tuaj, njësoj si deri më sot dhe qeveria juaj do të punojë me mish e me shpirt që t’ju rrisë vijimësisht pensionin”- shkruan kryeministri.Ai i bën thirrje pensionistëve që të nxisin pasardhësit e tyre të kontribuojnë për pensionet pasi vetëm në këtë mënyrë ata do të shpëtojnë nga puna në të zezë, por do të mund të sigurojnë edhe të ardhmen e tyre. “Bashkëpunimi mes strukturave të qeverisë dhe të gjithë shqiptarëve është mënyra më e mirë për të dalë nga “gropa” në të cilën gjendet sot vendi ynë”, thuhet në letër.