Operacionet më të bujshme që qeveria ka ndërmarrë nga koha e ardhjes në pushtet, ajo kundër vjedhjeve në sektorin e energjisë elektrike dhe së fundi kundër informalitetit në biznese, do të shkojnë deri në palcë. Me këtë deklaratë kryeministri Rama paralajmëroi fazën e re të aksionit kundër informalitetit, atë të ndëshkimit të evazorëve të mëdhenj.
Kryeministri Rama tha se për më shumë se 20 vjet kjo kategori nuk është prekur kurrë nga asnjë qeveri. Sikundër edhe në rastin e vjedhësve të energjisë elektrike, edhe këtë herë aksioni do të kryhet nga Ministria e Financave, ajo e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme., të cilat firmosën këtë të enjte memorandumin e bashkëpunimit. Për ministrin Tahiri memorandumi i hap rrugë hetimit financiar për evazionit fiskal në Shqipëri. Lufta ndaj të ashtuquajturve evazorë të mëdhenj është një proces që sipas ministrit të Financave nuk do të ndalet me qëllim rritjen e të ardhurave në arkën e shtetit.