Kryeministri, Edi Rama, ka mbërritur në Sofje të Bullgarisë, ku do të marrë pjesë në Samitin mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
Shefi i qeverisë shqiptare është pritur nga kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i cili aktualisht mban Presidencën e Këshillit Europian.
Në Sofje kanë mbërritur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, Presidenti i Lituanisë, Dalia Grybauskaite, kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, kryeministri i Estonisë dhe Finlandës.
Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina,
pritet të miratojnë sot në Sofje një deklaratë për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore si dhe për përmirësimin e sigurisë, luftën kundër radikalizmit dhe për migrimet.
Deklarata, gjuha e së cilës ishte bërë pjesë debatesh të gjata brenda vendeve të Bashkimit Evropian, do të jetë pjesa përmbyllëse e takimit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi që është i pari i këtij lloji pas 15 vjetësh, synon të rikonfirmojë ardhmërinë evropiane të vendeve të rajonit.
Deklarata e përbashkët mbart me vete frymën e imponuar nga kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, i cili nuk merr pjesë në takimin e së enjtes për shkak të qëndrimit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës e cila nuk njihet edhe nga katër vende tjera anëtare të Bashkimit Evropian.
Pritet që deklarata përfundimtare t’u referohet vendeve të Ballkanit perëndimore si “partnerë”, një kompromis i pranuar edhe nga Spanja, e cila përballë problemit të Katalonjës, ka ashpërsuar gjuhën e saj kundrejt Kosovës.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se takimi i sotëm është një mundësi për të dyja palët.