Kryeministri Edi Rama tha sot në Prishtinë se dy vendet duhet të ecin bashkë drejt anëtarësimit në BE, duke cituar edhe një fjalim të ish-Presidentit Rugova për miqësinë permanente me SHBA-në.

“20 vjet më parë, në 2004, Presidenti Rugova tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se “objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë janë integrimi në BE, NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. E themi me bindje të plotë se shqiptarët janë në rrugën e progresit dhe kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen europiane”. Këto fjalë kaq të thjeshta në dukje janë gjithçka, që na duhet dhe na mjafton për të mos e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit me BE-në si dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses vetëm si trimi i mirë me shok shumë”, u shpreh Rama.

Sipas tij “Ndërkohë që Shqipëria ecën me hapa të shpejtë për t’u bashkuar me Europën, parapërfytyroni se sa krenarë do t’i bënim shqiptarët anë e mbanë sikur në këtë udhëtim të ishim krahë për krah me Kosovën, sikur edhe Kosova të shkëlqente njësoj ndërkombëtarisht me një ritëm, sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit. Jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit. Dëshira ime e zjarrtë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave me BE, kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE-së, të cilat sot janë një absurditet absolut. Bashkë me Presidenten, në Samitin e BE-së dy ditë më parë kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e BE-së që janë penguar të lëvrohen dhe të mos digjen”.

“Ne duhet të jemi dorë për dore paqedashës dhe paqeruajtës. Në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut europian duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por nuk duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram t’i bjerë Kosovës”, theksoi Rama.

Artikulli paraprakLEZHA MIRATON BUXHETIN E VITIT 2025
Artikulli tjetërKURTI: AGRESIONI I RUSISË DHE BEOGRADIT ZYRTAR E KANË BËRË URGJENTE ANËTARËSIMIN NË NATO