Rama mesazh të fortë Serbisë nga Maroku:Njihni Kosovën!

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në edicionin e 10-të të Konferencës së Politikave Botërore të zhvilluar në Marok, kushtuar Qeverisjes Globale. Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në panelin me temë “E ardhmja e Evropës Juglindore”, së bashku me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq, ku foli mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe rolin e Shqipërisë, në këtë bashkëpunim, si dhe sfidat e integrimit të vendit në BE. Duke sjellë si shembull marrëdhëniet mes dy vendeve Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat tashmë janë të normalizuara, kryeministri Rama theksoi se e ardhmja më e mirë për popujt e të dy vendeve, ajo që qeverisja duhet të zgjedhë, është fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi i ndërsjellë në të mirën e përbashkët të qytetarëve. “Ajo që unë shoh si një pasqyrim shumë pozitiv të kësaj, është sesa shumë gjërat po ndryshojnë përsa i përket popullsisë. Është një mënyrë e re e të jetuarit në Ballkan, një mënyrë që është rrënjësisht e shkëputur nga kultura sesi jetonim në të kaluarën.”, u shpreh kryeministri. Në kuadrin e perspektivës së bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, Kryeministri theksoi ndër të tjera se duke njohur Kosovën, Serbia do të bëjë një hap të madh përpara dhe do të lehtësohet nga barra e së kaluarës. “Kosova është sot një Republikë. Është aty dhe funksionon si një shtet i pavarur, sovran, me institucionet e tij, dhe jam shumë i lumtur ta them, me një model shumë të admirueshëm respekti për minoritetet, para së gjithash për minoritetin serb, i cili ka përfaqësi në parlament, në qeveri. Bindja ime është, ka qenë gjithmonë dhe mbetet që, duke njohur Kosovën, Serbia do të bëjë një hap të madh përpara dhe do të lehtësohet nga një barrë e së kaluarës, e cila është pengesë për të parë drejt së ardhmes më e lehtësuar.” Duke folur mbi perspektivën e zgjerimit të BE me vende të reja aspirantë, kryeministri tha se vendet ndodhen në një moment tjetër historik, atë të kompletimit të procesit të nisur. “Gjendemi në një moment të ndryshëm historik, krahasuar me fazën e zgjerimit të shpejtë të fillimit. Tashmë përballemi me nevojën për të kompletuar procesin e nisur. Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjerim, por për përfundimin e këtij procesi. Mbi të gjitha, qëndron nevoja strategjike e Europës për të mos lënë Ballkanin si një zonë gri, ku aktorë të tjerë mund të fusin duart dhe të promovojnë axhendat e tyre, duke nxitur konflikte të mundshme.” Kryeministri theksoi ndër të tjera se është shumë e rëndësishme që vendet e Ballkanit të jenë pjesë e projekti europian, si një faktor më shumë për një Europë më të sigurt. “Është shumë e rëndësishme të përfundojmë këtë projekt, ekzaktësisht për të njëjtën arsye që anti-europianët theksojnë, ekzaktësisht për arsyen e sigurisë.” Kryeministri tha ndër të tjera se Ballkani i sotëm është pozicionuar qartë pro BE dhe se po punon fort për këtë perspektivë. “Ajo që po bëjmë sot në rajon nuk po ndodh sepse jemi të ndryshëm nga paraardhësit tanë që bënë luftëra. Kjo po ndodh sepse në këtë rajon ka një ndjenjë të fortë pro-europiane. Ky rajon është vendi i duhur për të kuptuar se sa është tërheqëse Europa për njerëz që dinë se çfarë është lufta, që e kanë parë atë dhe e dinë se sa keq gjërat mund të shkojnë prej saj, ndaj ritheksoj edhe një herë faktin që edhe procesi i integrimit do të ndihmojë në zbutjen e këtyre pakënaqësive dhe mosmarrëveshjeve.”

Artikulli paraprakPOLICIA I GJEN 1 KG HEROINË NË MAKINË, ARRESTOHET SHQIPTARI
Artikulli tjetërMBYLLET SHTËPIA E BARDHË,SHËRBIMI SEKRET ARRESTON NJË PERSON