Rama miraton vendimin për 44 makinat luksoze ‘Jaguar’, ia kalon Tahirit në përgjegjësi
Qeveria ka rikthyer në vëmendje marrjen me qira të makinave luksoze që do të jenë në dispozicion të ministrave dhe vet Kryeministrit. Bëhet fjalë për automjetet “Jaguar”, për të cilat ishte ngarkuar Garda e Republikës që të kryente procedurën e marrjes me qira. Ky vendim është shfuqizuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave dhe i ka kaluar si kompetencë Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga Saimir Tahiri. Bëhet fjalë për 44 automjete “Jaguar”, që në vitin 2015 u kritikua nga opozita duke e quajtur vendim korruptiv me arsyetimin se do të përfitojnë klientët e Qeverisë. Nga kjo “flotë” e makinave, 8 do të jenë për Kryeministrinë që do të përdoren nga stafi i këtij institucioni, 14 për kabinetin qeveritar, 2 për Kryetarin e Kuvendit, 2 për Presidentin dhe nga 1 për çdo Ministri. Njoftimi i Qeverisë: SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.246, DATË 19.3.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGARKIMIN E GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR KRYERJEN E PROCEDURËS SË PROKURIMIT PËR MARRJEN ME QIRA FINANCIARE TË AUTOMJETEVE NË DISPOZICION TË DISA FUNKSIONARËVE PUBLIKË DHE KRYEMINISTRISË” Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1. Shfuqizimin e vendimit nr.246, datë 19.3.2015, të Këshillit të Ministrave “Për ngarkimin e Gardës së Republikës së Shqipërisë për kryerjen e procedurës së prokurimit për marrjen me qira financiare të automjeteve në dispozicion të disa funksionarëve publikë dhe Kryeministrisë”. 2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.