Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me disa foto nga vizita e djeshme e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.
“Mirëmëngjes dhe me FotoALBUMIN e vizitës së një Miku të Madh të Shqipërisë e shqiptarëve dje në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar kryeministri Rama.
Erdogan vizitoi të enjten Tiranën, ku u prit në një ceremoni shtetërore nga presidenti Bajram Begaj, me të cilin zhvilloi edhe një takim në presidencë.
Më pas ai iu drejtua kryeministrisë për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama, ndërsa mbajtën edhe një deklaratë të përbashkët për mediat.
Vizita u përmbyll me inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë, ku presidenti turk u shpreh se objekti do të jetë “simboli i miqësisë, vëllazërisë dhe solidaritetit mes dy vendeve”.