Velipoja, një ndër plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri, frekuentohet çdo vit nga qindra mijë pushues si brenda edhe jashtë kufijve.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale foto nga bregdeti i Velipojës, ku uji i pastër e i kthjellët, ndërthuret me gjelbërimin e pishave që pushtojnë bregdetin. Foto e realizuar nga Terenc Pepa.
“Mirëmëngjes nga Velipoja”, shkruan kryeministri, duke ndarë foto nga plazhi më verior i Shqipërisë, me bukurinë dhe kontrastet e forta që e karakterizojnë.
Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës është ndër më të preferuarit në veriperëndim të vendit edhe për shkak të cilësive kurative të rërës.
Rëra me efektin e saj kurativ, ndërthurja me hijeshi e detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, bëjnë për vete çdo vit pushues të shumtë.
Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti.