Kryeministri Edi Rama, kryetari i bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu dhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci janë përfshirë në një rivalitet batutash mes tyre lidhur me turizmin. Ky ngacmim që vjen përmes humorit nisi pas një postimi të kreut të bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu i cili zhvilloi një takim informal me kryeministrin Rama teksa shkruan “takim sekret me Kryeministrin Edi Rama për projektin turistik që do sfidoje jugun”.
Pas këtij postimi është radha e kryeministrit i cili ngacmon kryebashkiakun e Shkodrës Benet Beci dhe duke lënë të kuptohet në një farë mënyrë se sfida e Lezhës nuk është vetëm me jugun siç pretendoi Ndreu por edhe me Shkodrën. Rama shkruan “me kryebashkiakun që vit pas viti po e kthen Lezhën turistike në Spanjën e vogël të Shqipërisë, duke diskutuar për sfidën e transformimit të Ranës së Hedhun në një destinacion të turizmit mesdhetar me pesë yje.
Pjerini e ka fiksim të vjetër të sfidojë Jonin me një zhvillim fantastik në Adriatik. Nëse bashkohet me Benetin ka shumë gjasë t’ia dalin, por halli është se ky do që të sfidojë edhe Shkodrën.
Nuk ka vonuar përgjigja e kryetarit të bashkisë Shkodër Benet Beci i cili po përmes humorit i bën të ditur kryeministrit Rama dhe kreut të bashkisë Lezhë se me Shkodrën nuk mund t’ia dalë askush. Beci shkruan “Spanjë e vogël, Lezhë e madhe, pushka top Pjerinit! Po me Shkodrën vështirë e ka, se siç ka shkrujt Koliqi: ‘Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë’, e vështirë se para i del kush vetë”.