Rama në Maliq:Senzibilizimi, do të nis nga shkollat e pastaj në lagje. “Gjithë këtë eksperiencë që ju keni krijuar në këtë oazin tuaj ta shpërndani në qytet.

 

Bashkia t’ju financojë për materialet publicitare sensibilizuese për aksionet e ndryshme në lagjet e ndryshme të qytetit dhe ndërkohë të ndihmoni konkretisht që të fillojë nëpër lagje ndarja e mbetjeve në burim,”– u shpreh Kryeministri. Rikonstruksioni i shkollës ka përfshirë të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme të godinës, rinovimin e palestrës dhe sistemimin e oborrit. Shkolla është pajisur edhe me sistemin e ngrohjes qendrore. Në Maliq është në përfundim një nga investimet më të rëndësishme në qarkun e Korçës për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane, landfill-i dhe vend depozitimi i mbetjeve urbane. “Jemi në përfundim të qelizës së parë ku do të hidhen mbetjet, pjesa që tepron e mbetjeve të qarkut të Korçës. Në total kjo kap rreth 7 hektarë dhe mendojmë se është një projekt shumë i rëndësishëm për pastrimin e qarkut të Korçës,” – informoi Gëzim Topçiu, kryetari i Bashkisë Maliq. Kryeministri nënvizoi se me fuqizimin e procesit të riciklimit kapaciteti i landfill-it do të dy e trefishohet. “Mafia është e interesuar që të mos ketë riciklim, sepse ju e dini shumë mirë që për çdo ton mbetje që vjen këtu, landfilldi merr pagesë. Ju jeni shoqëria aksionere e bashkive, pra, paguheni mes vetes, ndërkohë që kur landfilldi zotërohet nga privati, çdo ton merret e përpunohet këtu, ose groposet këtu me pagesë. Nëse një pjesë riciklohen, atëherë dhe tonelata që vijnë këtu janë më pak dhe paratë që fitohen nga groposja janë më pak. Edhe jetëgjatësia e landfilldit është më e gjatë.” Kryeministri u takua edhe me disa riciklues të mbetjeve urbane. Ata nënvizun vështirësitë në të cilat gjendet sot industria e riciklimit për shkak të lëndës së parë.“Kompania ka ndaluar aktivitetin prodhues se nuk ka ku furnizohet këtu. Bëhet fjalë që për industrinë tonë mund të jenë rreth 120 ton në muaj që mund të përthithim. Meqë dhe zona e qarkut ka qenë e vogël, ne ishim bazuar tek importi. Gjatë kësaj kohe u detyruam të mbyllim dyert e kompanisë. 40 punëtorë që punonin aty sot janë papunë. Me investimet që ishim duke bërë edhe ata sot janë në pritje,” – tha një riciklues. Kryeministri theksoi se njëherësh merr jetë edhe strategjia e sensibilizimit publik për ndarjen e mbetjeve në burim. “Me përfundimin e kësaj zgjidhet dhe një plagë tjetër në organizmin e vendit. Elbasani u zgjidh, zgjidhet dhe qarku i Korçës, ndërkohe Tirana ka hyrë në një proces komplet revolucionar me kompaninë publike të përbashkët, Bashki e Tiranës dhe ajo e Veronës, që do të fillojë intensivisht shpërndarjen e mbetjeve në burim. Strategjia përfshin që ne në mënyrë agresive të sensibilizojmë, duke filluar nga shkollat e pastaj në lagje ndarjen në burim, që me dhënien e një nxitje të fortë riciklimit të ulim edhe tonelatat që shkojnë nëpër fusha.” Gjatë vizitës në Maliq, Kryeministri Rama inspektoi në fashitin Drithas avancimin e punimeve për pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese, pas më shumë se 25 vitesh. “Ky kanal shton sipërfaqe nën ujë rreth 300 hektarë, në njësitë administrativë të Libonikut. Falë edhe projektit që qeveria po bën për kaskadën në lumin e Lunavecit, këto toka kalojnë nën ujë të gjitha dhe është një nga investimet më të rëndësishme për Maliqin. Deri tani kemi pastruar rreth 70 km kanale të dyta dhe të treta, që nuk ishin pastruar prej 25 vjetësh. Rreth 70 000 m kub dhera janë hequr nga kanalet dhe ata tashmë kanë ujë në të gjithë fushën,” – detajoi investimin kryetari i saj, Gazim Topçiu. Pastrimi dhe vënia në funksionim e këtyre kanaleve në të cilat nuk ishte vënë dorë prej më shumë se dy dekada u siguron fermerëve një mbështetje jetike për mbarëvajtjen e punës së tyre. Kryeministri Rama nga ana e tij theksoi rëndësinë e rinovimit dhe fuqizimit të flotës së ekskavatorëve në ndihmë të bujqësisë. “Ne do plotësojmë edhe flotën që të krijojmë bazën e ndërmarrjeve bashkiake të ujitjes dhe të kullimit me ekskavatorët e rinj. Ekskavatori i fundit në Shqipëri ka ardhur ne vitin 2005, i blere nga shteti, ndërkohë që flota që ne gjetëm kishte deri në mjete të viteve ’70.” Njëmijë banorët e Maliqit po ndjejnë efektet e programit të Rilindjes Urbane. Rrugët e dikurshme të rrënuara, sot janë të gjitha të rindërtuara. Ndërhyrjet kanë përfshirë rehabilitimin e infrastrukturës nëntokësore, sistemim dhe asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e trotuareve, gjelbërim dhe sistemin e ndriçimit. Transformim ka pësuar edhe rruga Fshat Maliq. Me një investim prej 50 milionë lekë është ndërhyrë në infrastrukturën nëntokësore, sistemin e asfaltimin e saj dhe sistemin e ndriçimit. “Është bërë një ndryshim i plotë i gjithë infrastrukturës së fshatit. Ka ujë 24 orë. Ka kanalizime të ujërave të zeza të përfunduara. Është një investim rreth 50 mln lekë të reja,” – tha kryetari I Bashkisë

Artikulli paraprakDIGJEN DY BANESA NE MARGEGAJ,FAMILJET NE VARFERI
Artikulli tjetërSJELLJA E TIFOZEVE,FIFA GJOBE DHE PARALAJMERIM PER SHQIPERINE