KRYEMINISTRI NUK PËRFILL NIKOLIÇ, DO JETË NË PRESHEVË. Zbardhet agjenda e vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Beograd ditën e hënë. Axhenda që deri mesditën e të shtunës ishte një mister i vërtetë, kjo dhe për shkak të tensionit të ardhur si pasojë e dhunës në ndeshjen Serbi-Shqipëri të luajtur në Beograd, është zbardhur në mbrëmje, vetëm pak orë përpara vizitës.
Dhe në fakt, ashtu sikurse ishte parashikuar, Kryeministri Edi Rama nuk do të takohet me presidentin serb, Tomisllav Nikoliç, ndërkohë që pavarësisht kundërshtive të palës serbe, ai do të shkojë në Luginën e Preshevës, ku do të takohet me shqiptarët e këtij rajoni.
Ajo ç’ka bie në sy është edhe anullimi i ecjes në këmbë të Kryeministrit shqiptar në rrugët e Beogradit, e cila përpara anullimit të vizitës së parë, ishte e planifikuar në axhendë.
Nisja e delegacionit shqiptar do të bëhet në orën 8.30 nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pas një ore pritet të mbërrijnë në aeroportin e Beogradit. Menjëherë kreu i qeverisë shqiptare do të zhvillojë takimin e parë në orën 11:00 me homologun serb, Aleksandër Vuçiç dhe pas 10 minutash, dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim kokë më kokë e pas 20 minutash do të zhvillohet takimi i dy delegacioneve.
Në 12 e 15 minuta, do të mbahet konferenca për shtyp e kreut të qeverisë së Tiranës dhe Beogradit. Axhenda vijon më tej me një takim të shefit të qeverisë shqiptare në orën 16:00 me gazetarët. Pasditja rezervon gjithashtu agjendë të ngjeshur, ku Rama do të jetë o pranishëm në forumin e biznesit serbo-shqiptar dhe ora 18 e zhvendos Kryeministrin në Bashkinë e Beogradit. Në agjendë nuk përfshihet ecja në këmbë e kryeministrit Rama në rrugët e Beogradit. Ky takim përmbyllë agjendën e Kryeministrit për ditën e parë, ndërkohë të martën, nisja për në Preshevë e delegacionit shqiptar do të bëhet në 5.00 të mëngjesit.
Pas mbërritjes në Preshevë, agjenda përcakton orën 11.00, ku Kryeministri Rama do të takojë kryetarin e komunës.