Takimet e gjata me kundërshtarin politik Lulzim Basha duket se i kanë ndryshuar vlerësimin kundrejt tij kryeministrit Edi Rama.
Nga Puka, Rama tha se Basha është çun i mirë, por nuk bën për punë.
Rama: Kur flet Luli, që tani dhe e njoh, dhe nuk është çun i keq dhe kur thotë do jem Kryeministri juaj mua më kujtohet sahati i Tiranës. Sahati i Tiranës është i kryetarit të bashkisë, katër vjet nuk e ngriti një herë kokën, katër vjet nuk punoi sahati. Thotë më bëni ju mua Kryeministër tani që t’ua ngel sahatin e gjithë Shqipërisë.Se mua ora më rri 12:00. Dhe thotë Edi Rama mos trego barcaleta. Këto nuk janë barcaleta, janë të vërteta. Pse është për të qeshur nuk do të thotë që është barcaletë, është e vërtetë. Nuk ka barcaletë që ta bësh kaq bukur, saç Luli e ka shpallur bukurisht që nuk është për punë. Luli zgjohet vetëm kur ka kamera përpara, fiken kamerat, fiket televizori, duhet me e tund se ndryshe e zë gjumi.
Rama bëri përgjegjës Berishën, duke deklaruar se po të ishte takuar më herët me kreun e PD do të kishte qenë më mirë. Votën demokratëve të Pukës ua kërkoi duke shtruar një pyetje.
Rama: Kam një pyetje për të gjithë demokratët: Nëse duhet me shku nga Puka në Tiranë, aty ka makinë dhe shoferi është socialist. Ka dhe një karrocë, karrocieri është demokrat. Ti në Tiranë shkon me makinë apo karrocë? Ti thua jo nuk marr makinën se është e PD, do shkoj me karrocë.Kështu është qeveria, do makinën tonë për të shkuar në Europë apo karrocën e Lulit të ngelë ora 12:00?Të thoshte çdo moment jemi në Tiranë, ndërkohë që nuk ka lëvizur akoma nga Puka. Ne na kanë ngatërruar shumë, na ngatërroi Saliu, të ishim takuar më përpara me Lulin do të kishte qenë më mirë.Nuk ka problem. Një çerek shekulli, o burra të shkojmë në zgjedhje sikur po shkojmë në stadium.