Duke nisur nga kjo e shtunë, çmimet e karburantit në vend do të kalojë në filtrin e transparencës. Kështu bën me dije kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shkruan se në asnjë pikë karburanti nuk do të ketë çmim të vendosur pa miratimin e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburantit, që u ngrit ditën e sotme.
Kryeministri thekson se marzhi i fitimit të kompanive do të ngrijë dhe nuk do të lejohet abuzimi në kurriz të qytetarëve.
“Mirëmëngjes dhe me konfirmimin se nga sot, me ngritjen e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburantit, çmimet do të kalojnë në filtrin e transparencës dhe marzhi i fitimit të kompanive do të ngrijë, për të mos lejuar asnjë abuzim në kurriz të qytetarëve, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.
Në takimin një ditë më parë me furnizuesit e naftës, Rama u tregua i prerë ku i paralajmëroi se kushdo që do vendosë çmime ndryshe nga ato të përcaktuara nga Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit, do të humbë pikën e karburantit.
Kryeministri u shpreh dje se Bordi, bashkë me furnizuesit do të takohen çdo ditë për të përcaktuar çmimin e naftës në varësi të lëvizjes së tij në tregjet botërore dhe ky çmim do të jetë transparent për të gjithë qytetarët.
Anëtarët e Bordit të Administrimit të Karburanteve do të jenë: ministrja Belinda Balluku, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi, drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli si dhe kryetari i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba.
Ngritja e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës ka shkaktuar reagimin e qytetarëve, të cilët kanë organizuar protesta në disa qytete, teksa sot kanë paralajmëruar se do të mblidhen sërish në shesh në orën 11:00.