Pasi shprehu dakortësinë e tij për 8 kërkesat e studentëve, duke theksuar se ato mund të plotësoheshin vetëm përmes dialogut, kryeministri Rama mësohet se ka ngritur një grup pune me bashkëpunëtorë të ngushtë, të cilët janë duke përgatitur propozime për secilën prej pikave të paraqitura nga studentët.
Për sa i takon çështjes së përgjysmimit të tarifave, një nga më kryesoret në kërkesat e studentëve, burime pranë kryeministrit saktësojnë se Edi Rama pritet të shkojë edhe më tej, por fillimisht duhet të nisë dialogu.
Burimet nga Kryeministria tregojnë gjithashtu se grupi i punës, i ngritur nga Rama, është duke punuar edhe me pikat e tjera, ndërkohë që mësohet se është vendosur në parim shkarkimi i anëtarëve të qeverisë në Bordet e Administrimit të universiteteve publike, si dhe ai i drejtorëve të konvikteve.
Por, edhe këto vendime nuk do të zyrtarizohen pa u hapur dialogu mes qeverisë dhe studentëve, gjë nga e cila kryeministri nuk ka ndërmend të lëvizë, pohojnë të njëjtat burime.
Përmes një postimi në Facebook, Rama iu drejtua përsëri studentëve duke nënvizuar se, mbetet vetëm të ulen e të flasin mbi një “pakt për universitetin”.
“8 pikat janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. E këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë vetëm së bashku, përmes një pakti për universitetin mes studentëve dhe qeverisë.
Adresimin e 8 pikave duhet ta nisim pa humbur kohë. Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s’ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktorreshë Monës e të Profesor Lulit.
Unë jam gati dhe s’kam asnjë kusht, prandaj bëhuni mbarë e më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi”, tha shkruan Rama.