Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në iftarin e shtruar për besimtarët myslimanë me rastin e muajit të Ramazanit në kryeqytet. Kryeministri shihet ulur në tavolinë, pranë të cilit qëndron edhe bashkëshortja e tij, Linda. Kjo shënon edhe daljen e parë të kreut të qeverisë pasi doli nga spitali. Marrë shkas nga gjendja e kreut të qeverisë, të ftuarit në iftar i përshëndeti bashkëshortja e tij, Linda Rama. Gjatë fjalës së saj, Linda përmendi gjithashtu edhe operacionin e kryeministrit për apendisitin ndërsa shprehu falenderimet edhe për mjekët dhe infermierët që u kujdesën për të.

“E vërtetë, jo çdo e keqe vjen vetëm për keq! Edhe apendisiti i Edit mund të them që nuk paska ardhur vetëm për keq pasi, falë ndërhyrjes për heqjen e tij, në vend që sonte të dëgjoni një fjalë të gjatë nga Edi do të dëgjoni një përshëndetje të shkurtër nga unë. Ju uroj mirëseardhjen në këtë sofër tradicionale iftari në të cilën muslimanë, të krishterë, besimtarë ose jo, ndajnë bukën në përulje dhe respekt të një rituali të gjithëpranuar që kremton njeriun, jetën, sakrificat e shpërblimet e saj.

Ekzaktësisht 100 vite më parë, në vitin 1923, Këshilli i Naltë Musliman i drejtohej Kryeministrisë me një shkresë për të lajmëruar themelimin e Komunitetit Musliman Shqiptar. Me postulatin “dashuria për Atdheun rrjedh nga besimi” dhe me vendimin për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhë të liturgjisë islame myslimanët shqiptarë kishin rrokur qysh në lindjen e tyre si komunitet, një vizion paqeje në atdhedashuri dhe progres.
Sot, 100 vjet më pas, ky vizion i paqes dhe progresit, përqafuar natyrshëm nga krejt komunitetet fetare, është mishëruar në shembëlltyrën rrezatuese të harmoninë fetare, pasuri e çmuar e shqiptarëve, dhuratë e vyer për familjen e kombeve europiane dhe shembull për çdo vend ku shqiptarët jetojnë e punojnë. Nëpërmjet harmonisë kemi përballuar kështu përgjegjësinë për të qenë shembull, çka është dhe një prej virtyteve të renditura të vetë Kuranit. Të jesh shëmbull i virtytit nuk është e lehtë, përkundrazi, sipas Kuranit Famëlartë, të jesh shëmbull i virtytit është një përgjegjësi e vështirë dhe e rendë.“, tha mes të tjerash Linda. Dy ditë më parë, kryeministri ndërpreu angazhimet politike pasi iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në Qendrën Spitalore Univeristare Nënë Tereza, ndërsa u diagnostikua me apandesit akut. Mesa duket tani është më mirë dhe gati për të vazhduar aty ku e la fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 majit.

Artikulli paraprakNËNSHKRUHET AKTI LIGJOR PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE PËR KOSOVËN
Artikulli tjetërGJYKATA E LARTË E SHBA-SË GATI TË VENDOSË PËR KUFIZIMET E BARNAVE TË ABORTIT