Në një deklaratë për mediat, grupi i Enkelejd Alibeajt ka theksuar se tërheqja e Partisë Socialiste nga marrëveshja për ndërtimin e një procesi të përbashkët parlamentar për zgjedhjen e Presidentit, provoi që Edi Rama nuk do një President të gjithë shqiptarëve.
Sakaq, ata shprehen se do të mbeten të angazhuar në vullnetin për një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual për zgjedhjen e emrit të Presidentit të ri.
Deklaratë e Grupit të Alibeajt:
Sipas frymës së Kushtetutës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u angazhua seriozisht në ndërtimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual për përzgjedhje e Presidentit të Republikës. Kur morëm vendimin për ndërtimin e një procesi gjithëpërfshirës ishim të ndërgjegjshëm që regjimi i Edi Ramës kishte paracaktuar emrin e Presidentit dhe se qëndrimi i tij publik se dëshiron një President konsensual me opozitën ishte fasadë dhe mashtrim.
Detyrimi ndaj qytetarëve kërkonte që opozita të përmbushte përgjegjësinë e saj me seriozitet dhe përkushtim me qëllim që Presidenti i ardhshëm të jetë Presidenti i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ky nuk ishte vullneti i Edi Ramës, njeriut që pasi vjedh zgjedhjet, kap me votat e nongratave të tij në Kuvend çdo institucion të pavarur.
Tërheqja e Partisë Socialiste nga marrëveshja për ndërtimin e një procesi të përbashkët parlamentar për zgjedhjen e Presidentit, provoi atë që Grupi Parlamentar i PD paralajmëroi që në nisje, që Edi Rama nuk do një President të gjithë shqiptarëve dhe përbetimet e tij publike për konsensus me opozitën janë një mashtrim.
Grupi Parlamentar i PD mbetet i angazhuar në vullnetin e tij për nje proces gjithëpërfshirës dhe konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Shqiptarët meritojnë një President të gjithëpranuar, që i shërben interesit publik dhe jo interesit të pushtetit të Edi Ramës.