Kryeministri Edi Rama tha sot nga Lezha se nuk është dëshira e tij që të rriten taksat apo që rruga e Kombit të jetë me taksë për të kaluar.
I pranishëm në turin e llogaridhënies së qeverisë me qytetarët, Rama tha se qeveria e tij po realizon reforma që nuk janë bërë në 27 vite nga qeveritë e mëparshme.
“Sikur këto reforma që janë nisur 4 vite më parë, të ishin bërë 24 vite më parë, Shqipëria do të ishte në një tjetër stad. Sikur energjia të paguhej nga të gjithë sikundër paguhet sot, sikur mos lejoheshin ndërtimet pa leje vend e pa vend, atëherë do të kishim një tjetër zhvillim”, tha Rama.
Duke folur për reformën në drejtësi, Rama tha se ajo nisi vetëm 3 vjet më parë, por imagjinoni sikur kjo reformë të ishte nisur 23 vite më parë.
“Gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë pjesëtarë të asaj që ka ndodhur me pronat. Fallsifikimet e pronave janë bërë në bashkëpunim me gjykatësit, nuk janë bërë vetëm.
Kush do t’i çojë në burg të korruptuarit, gjykatësit që janë atje për të mos çuar në burg ata që duhet të shkojnë në burg”, tha Rama.
Sipas tij, Vettingu është vetëm fillimi i një procesi për të pastruar sistemin. “Sistemi i pastruar do të merret me të gjithë, nga më i gjati tek më i shkurtri. Të ndërtosh shtet nuk është si të bësh një ndërtim pa leje”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi si meritë të qeverisë marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave.
“Dy shtyllat shumë të rëndësishme të kësaj faze të qeverisjes janë: marrja e rekomandimit dhe pastrimi i sektorit të drejtësisë.
Kujt ia priste mendja që këta gjyqtarë dhe prokurorë do të mbeteshin rrugëve dhe jo vetëm kaq, por edhe të luten o Zot mos më thërrasin që të jap llogari.
Patjetër që kjo kërkon kohë, por ne nuk po bëjmë shaka, po përpiqemi të vendosim gurët në vendin e tyre”, tha Rama.