Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për rritjen e pagave, ndërsa kësaj here është ndalur tek rritja e pagave të ushtrisë. Kreu i qeverisë shkruan se pagat e ushtrisë ishin një arsye për t’u ndjerë keq për trupat e Forcave të Armatosura, por thotë se me këtë rritje tashmë pagat do të shkojnë në të njëjtin nivel me ato të vendeve të rajoni.
Por rritja për këtë kategori nuk do të ndalet këtu. Kryeministri thekson se synojnë që pagat e ushtrisë t’i çojnë drejt mesatares së NATO-s.
“Pagat e Ushtrisë Shqiptare ishin për një kohë të gjatë një arsye për t’u ndjerë keq për trupat e Forcave të Armatosura, por s’kishim asnjë rrugë tjetër përveçse të çonim përpara me këmbëngulje e durim ndryshimet e domosdoshme, pa të cilat pagat nuk mund të rriteshin siç e duhej dhe siç e dëshironim të gjithë. Tanimë kushtet kanë ndryshuar shumë dhe ushtarakët tanë nuk janë më të fundit e rajonit për nivelin e pagave të tyre, përkundrazi, ata kanë paga ndër më të lartat të cilat do të vazhdojmë t’i rrisim drejt mesatares së NATO-s
PAGAT E REJA, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900Eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, PAGAT E REJA janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, shkruan Rama.