Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se Shqipëria dhe Greqia kanë plane të përbashkëta në sektorin e energjisë, në një kohë kur tregu ndërkombëtar ka pësuar “tronditje” për shkak të luftës së Ukrainë. Në një intervistë për mediat greke, pas takimit me ministrin e energjisë Kostas Skrekas, Rama tha se në fokus të takimit ishin planet konkrete të bashkëpunimit në këtë sektor.

“Kemi plane të përbashkëta dhe shumë të dobishme reciprokisht dhe na duhet vetëm që të ecim përpara me shpejtësi dhe të përfitojnë nga këto plane, nga fakti që mund të shkëmbejmë energji duke qënë se kemi burime të natyrave të ndryshme, ne jemi hidro 100 %, Greqia është gaz, është termo”, tha Rama. Nga ana tjetër, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se është diskutuar edhe mundësia e investimeve që pala greke mund të bëjë në territorin shqiptar, sa i përket burimeve të reja energjetike.

“Kemi diskutuar për sa i përket mundësive të investimeve që pala greke mund të bëjë në territorin shqiptar, sa i përket burimeve të reja energjitike, sigurisht flasim mes nesh për burime të gjelbërta energjetike”, tha Balluku.

Sektori i gazit ka qenë një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit dypalësh, nisur edhe nga fakti se të dy vendet, si Greqia me terminalin e Aleksandropulit, ashtu dhe Shqipëria me terminalin e Vlorës kanë vendosur që të investojnë në gazifikim në 10-vjeçarin e ardhshëm.

Artikulli paraprakMBLIDHET NATO NË BERLIN, MINISTRI TURK: SUEDIA DHE FINLANDA MBËSHTESIN PKK-NË
Artikulli tjetërZELENSKY “SHKON” NË EUROVISION, JA MESAZHI EMOCIONUES QË JEP