Kryeministri Edi Rama tha se masat shtrënguese duhet të vijojnë, dhe kjo është vetëm se në mbrojtje të jetës.
“E provuan disa të tjerë shumë më të mëdhenj më të fuqishëm se ne që ranë pre e sirenave dhe sot janë zhytur në vorbull infektimi dhe vdekje nga ku ende nuk po nxjerrin kokën në sipërfaqe. Ne e kemi kaluar fazën më të rëndësishme mbrojtjen e jetës, nuk numërojmë ë të vdekur përditë, por kurba mbahet nën kontroll më mirë se në shumicën e vendeve të Evropës, nuk shohim shtretër të mbushur, nuk kemi asnjë humbje jete në bluzat e bardha dhe nuk kemi as kufoma që s’kemi ku t’i varrosim. Detyra ime është të mos e ngatërroj dhimbjen aspak të vogël në jetën e përditshme në ekonominë vogël familjare me shkakun e vërtetë të këtij qëndrimi në mbrojtje që po mbajmë. Ky qëndrim i fortë në mbrojtje e cenon lirinë e qytetarëve, e cenon ndjeshëm ekonominë e familjeve shqiptare, edhe ekonominë tonë kombëtare. Ama mos e harroni, unë nuk e kam të drejtë ta harroj dot: Liritë edhe do të kthehen sapo ta fitojmë këtë luftë, ekonomia do ringrihet, por të vdekurit nuk i ringjallim dot nesër, nëse sot e tradhtojmë kauzën“, tha Rama.